Arton A., një banor 27 vjeçar i Zvicrës, me prejardhje nga Kosova, është dënuar të mërkurën nga Gjykata Kantonale e St. Gallenit me 4 vjet burg. Procesi për përdhunim të tri ish partnereve të tij po zgjaste që nga fillimi i qershorit.
I përballur me akuzën, ai, një person me trup të ushtruar, muskuloz, që nga fillimi ka kundërshtuar me konsekuencë atë që i ngarkohej: “Nuk jam përdhunues dhe po mbahem tepër gjatë në burg”. Për shkakun se mbrojtësi i tij kishte këmbëngulur që të tri vajzat që pretendohet se janë viktima të përdhunimit nga ana e tij duhet të paraqiuten para gjyqit, procesi ka zgjatur rreth tre muaj, shkruan blick.ch.
Tri viktimat, njëra 24, e dyta 31 dhe e treta 20 vjeçe, nga lidhjet që kanë pasur me Artonin, kanë pësuar keq, transmeton albinfo.ch. Ato janë rrahur rregullisht, ndonjëherë madje edhe janë bërë për spital. “Partneri” i tyre ua ndalonte të bënin makijazh ose të ngjyrosnin flokët, ua kontrollonte telefonat mobilë, u bënte vizita me qëllim kontrolli edhe në vendet e punës ose i përgjonte. E gjithë kjo për shkakun se sipas pikëpamjes së tij “kur të kesh një femër, ajo të takon ty!”.
Por, megjithëkëtë, ato kanë tërhequr ose relativizuar deklarimet e bëra më parë në lidhje me përdhunimin. Kështu, njëra prej tyre ka thënë së fundi: “Ai nuk më ka përdhunuar, unë gjithmonë kam dashur vet”. E dyta: “Ai ka pritur një vit deri sa më ka zhvirgjëruar. Ka qenë shumë i dashur”.
Lidhur me ndryshimin radikal të deklarimeve të tri viktimave, dyshimi shkon te familja e Artonit, përcjell albinfo.ch. Ajo, sipas gjyqtarëve dyshohet të ketë ushtruar presion ndaj tyre. Ata madje kanë ardhur nga Kosova për “t`i bindur” tri viktimat e përmendura.
Por, kjo nuk e ka ndihmuar shumë personi e akuzuar. Ndonëse në shkallën e dytë atij i është ulur dënimi për gjashtë muaj, ai megjithatë duhet të mbajë 4 vjet burg për përdhunim të shumëfishtë seksual. Veç kësaj, atij i është caktuar edhe trajtimi stacionar terapeutik.
Ndërsa Artoni vazhdon të këmbëngulë se po dënohet pa faj. “Nuk mund të tregoj pendim për diçka që nuk e kam bërë”, thotë ai.









