Moti i lig që ka mbretëruar ditëve të fundit në Zvicër, ka marrë sot edhe viktimën e parë. Në Bönigen afër Interlakenit një vajzë 12 vjeçe deri sa ishte në një tendë, është goditur nga një pemë që po rrëzohej. Siç bën të ditur Policia e Kantonit të Bernës, vajza nga Letonia ka vdekur nga lëndimet e rënda që ka marrë me këtë rast.
Lëndime nga kjo goditje ka pësuar edhe një grua, njofton srf.ch.
Aksidenti i rëndë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. Sipas njoftimeve të para, nga stuhia e fortë ishin rrëzuar katër drurë, njëri prej të cilëve ka goditur tendën, transmeton albinfo.ch. Aty, në momentin tragjik krahas vajzës kishin qenë edhe një burrë dhe një grua. Kjo e fundit është dërguar me autoambulancë në spital. Po ashtu për kontroll në spital kishte shkuar edhe burri.
Policia Kantonale e Bernës ka nisur hetimet për sqarimin e rrethanave të aksidentit.









