Integrimi
Dardani e zë në gabim gjykatën dhe tash kërcënohet me dëbim nga Zvicra
Gjykata Federale nuk e kishte dërguar vendimin e saj gjyqësor në Zyrën për Migracion, “një gabim klasik zyrtarësh” siç ka konstatuar tash edhe Gjykata e Lartë e Aargaut
Kosovari ka zbuluar gjegjësisht denoncuar një gabim që kanë bërë autoritetet e Kantonit Aargau dhe kjo mund t`i kushtojë me dëbim nga Zvicra.
Dardani 28 vjeçar (emrat janë të shifruar) është i kërcënuar të dëbohet nga Zvicra, shkruan aargauerzeitung.ch. Lista e delikteve të tij është e gjatë: duke filluar nga veprimet e dënueshme seksuale me një fëmijë, vjedhje si pjesë e një bande, dhe shkelje të ligjit mbi narkotikët. Ai është dënuar disa herë, ka shumë borxhe dhe për deliktet e kryera ka mbajtur edhe burg, transmeton albinfo.ch. Zyra për migracion e Kantonit Aargau ia ka hequr atij lejen e qëndrimit në Zvicër dhe synon ta dëbojë në Kosovë. Mirëpo Dardani ka ushtruar të drejtën e ankesës, e cila i është hedhur poshtë nga instanca e parë. Ai pastaj ka bërë ankesë edhe në Gjykatën e Lartë (Kantonale) , ku ai është paraqitur para gjyqit me avokatin e tij. Dardani e flet gjermanishten rrjedhshëm.
Ai ka ardhur në Zvicër në vitin 1992 në kuadrin e bashkimit familjar. Kur Dardani kishte mbushur 6 vjet, i kishte vdekur babai nga infarkti i zemrës. Që atëherë Zyra për Migracion kishte dashur ta dëbonte familjen por, duke qenë se nëna e Dardanit kishte gjetur një punë të rregullt, familja kishte mbetur në Zvicër, thotë ai para gjyqit.
Në klasën e fundit të shkollimit të detyruar, ai e kishte ndërprerë. Një mësim zanati që kishte filluar, ai e kishte ndërprerë po ashtu në vitin 2005 pasi që “për shkak të kolegeve të shumta serbe të punës ai nuk ndjehej mirë”. Pas kësaj, Dardani nuk kishte gjetur më punë dhe kishte rrëshqitur në shoqëri të gabuar, duke filluar edhe deliktet e para. Në kohën e tij “më të keqe”, në vitin 2008 ai njihet me gruan e tij, Donjetën, me të cilën vazhdon të jetojë bashkë dhe ka një vajzë.
Në vitin 2009 ai kishte mbajtur dy muaj paraburgim pasi që në bagazhin e makinës së tij ishin gjetur 5 kilogramë heroinë. Sipas tij, ato ishin të shokut me të cilin po shkonin në Gjenevë, për të parë qytetin. Para se të hynin në qytet ishin kapur nga policia, me ç`rast kanë gjetur drogën e përmendur, për ekzistimin e së cilës ai nuk kishte pasur njohuri, përcjell albinfo.ch. Por gjyqtarët nuk e kishin besuar pohimin e tij se heroina në makinë ndodhej pa dijen e tij. Kështu, ai ishte dënuar me dy vjet burg me kusht.
Në bazë të këtij dënimi, Zyra për Migracion kishte nisur procedurën për dëbim por Dardani e kishte shtyrë punën me ankesa deri në Gjykatën Federale deri sa as kjo e fundit nuk i kishte besuar dhe përfundimisht në vitin 2011 e kishte shpallur fajtor.
Në këtë kohë as vetë Dardani nuk besonte më se do të mbetej për të jetuar në Zvicër. Por ai po përfitonte nga një gabim i zyrtarëve: Gjykata Federale nuk e kishte dërguar vendimin e saj gjyqësor në Zyrën për Migracion, “një gabim klasik zyrtarësh” siç ka konstatuar tash edhe Gjykata e Lartë e Aargaut. Kështu, tash ishte vetë Dardani ai që po e niste procedurën për dëbimin e vet! Ai informonte Zyrën për Migracion lidhur me gjendjen. “Dhe sikur të mos e kisha bërë këtë, ndoshta nuk do të rrija këtu (në gjyq) thotë ai me hidhërim.
Ndërkohë ai është dënuar sërish edhe për një rrahje para një klubi nate, përcjell albinfo.ch gazetën zvicerane. Por ai thotë se të gjitha i takojnë të kaluarës dhe tash është bërë njeri tjetër, më i mirë. E shoqja, Donjeta ka thënë para gjyqit se “në rast se Dardani dëbohet në Kosovë, kjo do të jetë katastrofë për familjen tonë”.
Vendimi gjyqësor pritet të merret pas dy javësh.
E-Diaspora
-
Winterthur
“Ne dhe Ata” sonte në Winterthur, komedia që prek realitetin e mërgatës Dan Morina vjen me një “Comedy Show” të radhës, ndërsa publiku në Zvicër pritet të argëtohet... -
Ramë Lahaj: Mërgata jonë është pasqyra më e mirë e identitetit tonë -
Bern: Event mbi integrimin përmes punës dhe ndërmarrësisë -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Kuzhina shqiptare në qendër të festimeve frankofone në Suedi
Jeta në Austri
-
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç Austria do të ndalojë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën 14 vjeç, sipas një marrëveshjeje... -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Tragjedia e Vjenës: I lënduari është Nazmi Muharremi – flet vëllai që ia shpëtoi jetën -
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik -
Austri: Kosovarja shkakton aksident me makinë, lëndohet rëndë çiklistja














