Lajme

Të rinj nga bota mësojnë shqip në Prishtinë

Ata tregojnë për vështirësitë që kanë gjatë mësimit të gjuhës shqipe, ndërsa flasin edhe për arsyet rreth interesimit të tyre në këtë gjuhë

Të rinjtë nga Rusia, Italia, Sllovakia e shumë vende të tjera të botës kanë ardhur në  Prishtinë për të ndjekur punimet e Seminarit të 30-të Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare.

Ata tregojnë për vështirësitë që kanë gjatë mësimit të gjuhës shqipe, ndërsa flasin edhe për arsyet rreth interesimit të tyre në këtë gjuhë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Suzana Piptova, nga Sllovakia, është një nga pjesëmarrëset në seminar.

“Më pëlqen gjuha shqipe shumë, dhe unë dua të flas shqip me shqiptarët”, thotë Piptova duke e vlerësuar të komplikuar mësimin e gramatikës së gjuhës shqipe.

Pavarësisht kësaj, ajo shpreh bindjen se ja vlen të kalosh nëpër sfida të tilla gjatë mësimit të, siç e quan ajo, njërës prej gjuhëve më të vjetra në Ballkan.

Ngjashëm mendon edhe Angjela Gjenovese nga Italia, e cila ka ardhur në Prishtinë për të ndjekur kurset e gjuhës shqipe dhe për të mësuar të flas mirë shqip.

“Unë studioj gjuhën shqipe, jam nga Italia. Gjuha shqipe është shumë e vështirë, por është shumë interesante për ta mësuar”, thekson ajo.

Aktivitetet që organizohen tradicionalisht çdo vit në kuadër të Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i kanë ndjekur deri më tani qindra e mijëra studentë nga Evropa dhe mbarë bota.