Integrimi
Të jesh i varfër në Zvicrën e pasur
Një projekt që mbështetet nga Caritas-i zviceran fton autorë të cilët do të shkruajnë episode reale të jetës që paraqesin varfërinë në Zvicër. Autorët përfitojnë një kurs shkrimi nga autorja e njohur zvicerane, Tanja Kummer
Shumë njerëz nëpër botë nuk besojnë dot se edhe në Zvicër varfëria prek shumë banorë, dhe jo vetëm mërgimtarët por varfëria përjetohet edhe nga vendasit, zviceranët.
E vërtetë se varfëria e Zvicrës nuk është si ajo e shteteve ballkanike apo e Afrikës,
por zviceranët nuk i mbyllin sytë para realitetit të hidhur, ata nuk duan që gërshërët e varfërisë të hapen më shumë për të theksuar ndarje klasash mes njerëzve.
Këtë luftë të tyre kundrejt kësaj varfërie shumë të vogël në krahasim me vendet e tjera, e dëshmon edhe projekti “Schein&Sein”.
Ky projekt u zhvillua më 28 tetor në Viadukt Cyrih në një nga lokalet e Caritas-it zviceran në një atmosferë modeste me një lexim autorësh me udhëheqjen e politikanes së re Cordula Bieri e cila punon për Caritas-in e Cyrihut. Shkrimet që u lexuan, për temë kishin varfërinë.
Në hyrje të lokalit ishte vendosur një pemë ku ishin vënë disa kartolina me pyetje e me mendime rreth skamjes.
Ideatore e këtij projekti që filloi si fushatë kundër varfërisë në pranverë të vitit 2010, është gazetarja zvicerane Andrea Keller. Ky projekt që mbështetet nga Caritas-i zviceran fton autorë të cilët do të shkruajnë episode reale të jetës që paraqesin varfërinë në Zvicër. Autorët përfitojnë një kurs shkrimi nga autorja e njohur zvicerane, Tanja Kummer.
- Me shkrime kundër varfërisë
Këto shkrime janë një grusht i rëndë kundër gabimeve shoqërore të cilat janë fajtore për varfërinë në vend e kudo nëpër botë.
Ishte e mrekullueshme të shohësh vlerat kulturore zvicerane. Lokali, një dyqan i veshmbathjeve të dorës së dytë “Secondhand” u mbush plot. Shumë nga publiku u ulën në tokë, të shumtë ishin edhe ata të cilët u ulën nëpër shkallë. Por nuk ndihej asnjë zë. Të gjithë u bënë sy e vesh për të dëgjuar faktet se ku e ku po prek varfëria. Përveç duartrokitjeve mund të shihje edhe lotët në faqet e të pranishmëve.
Disa nga autorët ishin anonimë, prandaj ata i prezantonte me biografi shkrimtarja Tanja Kummer ndërsa tekstet e tyre i lexonte gazetarja Andrea Keller.
Leximet u përcollën me një muzikë me harfë nga instrumentistja zvicerane Veronika Ehrensperger-Leutschacher. Ishte muzikë shumë e këndshme dhe njëherësh e përshtatshme me atmosferën e me temën që po shtjellohej.
Fjalën e mori edhe drejtori i Caritas-it të Cyrihut, Max Elmiger, i cili falënderoi publikun për pjesëmarrje dhe autorët për emocionet që sollën tek publiku me një lexim aq të mirë. Zotri Elmiger premtoi se ky projekt do të vazhdojë në të ardhmen sepse varfërinë nuk duhet ta fshehim por duhet ta luftojmë përmes angazhimeve e metodave të shumta siç janë punësimi, shkollimi, paraqitja reale e fakteve përmes argumente e shkrimeve, etj.
- Të varfrit të shkruajnë vetë për gjendjen e tyre
Ideatorja e këtij projekti Andrea Keller për albinfo.ch tha: kur, në vitin 2010 e pata zhvilluar dhe jetësuar punëtorinë e shkrimit për të prekurit nga varfëria, në radhë të parë më interesonte që fjalën t`ua jepja njerëzve me buxhet të vogël. Që ata si njohësit më të mirë të situatës së tyre, të rrëfejnë përmes shembujve se sa e dhembshme është të jesh i varfër në Kantonin e pasur të Cyrihut. Duke e angazhuar shkrimtaren Tanja Kummer, unë fitova një udhëheqëse të mrekullueshme të kursit për projektin. Dhe, qysh seanca e parë e punëtorisë ishte një sukses i madh.
Në vitin e ardhshëm ne do ta ofrojmë kursin për të pestën herë ndërsa secili grup i deritashëm ka qenë unik.
Ne së bashku kemi punuar, kemi menduar duke shkruar, kemi rrëfyer dhe, përkundër gjendjes së ngarkuar jetësore, secilën herë edhe kemi qeshur. Njerëzit dhe historitë që i kam njohur falë këtij projekti janë një pasurim! Për mua personalisht por edhe për shoqërinë tonë. Në këtë projekt ka shumë zemër, gjë që, mendoj unë, edhe ndjehet. Më vjen mirë që Caritasi i Cyrihut e bën këtë zemër të vazhdojë të rrahë”.
- Projekte të tilla duhet të barten edhe në vendet tona
Aktiviste e dalluar në këtë projekt është edhe shkrimtarja shqiptare nga Kosova Hava Kurti. Në këtë kuadër, ajo është e angazhuar në takimin me alumne. Lidhur me këtë angazhim ajo për albinfo.ch shprehet “është një projekt jashtëzakonisht madhor për vlerat njerëzore. Qëllimi është të mos turpërohen të varfrit, por të luftohet varfëria. Unë shpresoj se edhe në vendet tona do të bartim projekte të tilla për të trokitur sadopak në ndërgjegjen e shoqërisë. Unë ndjehem si në familje në këtë projekt. Kemi lexuar në Argau, në Cyrih dhe në Lucern. Ne shkruajmë tregime rreth varfërisë, ato janë ose përjetime personale, ose nga ato që kemi parë e dëgjuar nga të tjerët por me kusht që të jenë reale”, përfundon zonja Kurti.
I pranishëm në këtë aktivitet dhe me shumë interesim për çdo detaj ishte edhe televizioni zviceran SRF.
Në fund ishte edhe një apero modeste por shumë e përzemërt dhe tejet e pasur me biseda mes publikut e autorëve e organizatorëve.
Gjatë diskutimeve një grua theksoi fjalët e të shenjtës Nënë Terezë: “Varfërinë nuk e krijoi zoti, atë e sollëm ne, unë e ti me egoizmin tonë”. Ajo, këto fjalë i lexonte nga një pullë postare gjermane.
A thua e dinte kjo zonjë varfërinë e vendeve ku është rritur Nëna Terezë! Ndoshta po e ndoshta jo. Por se zviceranët e luftojnë varfërinë edhe sado e vogël të jetë , kjo është vlerë e shenjtë, sepse varfëria është një plagë që vret.
Fotot: Daniel Wirz
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Vanesa Limani emërohet drejtore në Zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Nju-Jorkut Sot, ajo është bërë zëri i shumë komuniteteve në Staten Island – përfshirë dhe komunitetin shqiptar...
-
Aeroporti i Prishtinës shton kapacitetet: Gati për të pritur mërgimtarët
-
Turne humanitar i futbollit në Vjenë: Mblidhen 70.000 € për “Jetimët e Ballkanit”
-
Iu dha lamtumira e fundit Lea Bajramit, viktimë e sulmit në Austri
-
Vdes 18 vjeçari nga Kosova, në një liqe, në Gjermani
Jeta në Austri
-
Austria forcon ligjet për armët dhe sigurinë në shkolla pas tragjedisë në Graz Pas sulmit të përgjakshëm në një shkollë të mesme në Graz ku humbën jetën dhjetë persona,...
-
Der Standard: “Në Kosovë tani po mbretëron kokëfortësia”
-
Turne humanitar i futbollit në Vjenë: Mblidhen 70.000 € për “Jetimët e Ballkanit”
-
Iu dha lamtumira e fundit Lea Bajramit, viktimë e sulmit në Austri
-
Tirol: Tre alpinistë të vrarë nga rrufeja