Integrimi
Ja cilët të huaj dëbohen pas ashpërsimit të ligjit për të huajt
Nga 1.10.2016 fuqizohet në ligjin penal dëbimi nga Zvicra. Qytetaret e Kosovës në Zvicër, në rast të shkeljeve të caktuara, përpos që dënohen me gjobë e burg, ata si dënim të dyfishtë në bazë të fuqizimit në ligjin e ri penal, dëbohen dhunshëm nga Zvicra
“Në fillim të vitit 2016 u refuzua iniciativa mbi zbatimin e dëbimit, fatmirësisht! Mirëpo, me këtë, dëbimi i të huajve nuk është hequr nga rendi i ditës. Pak ditë pas votimeve për iniciativën mbi zbatimin e dëbimit, e cila ishte edhe më restriktive, qeveria federale komunikoi rregullat ligjore për implementimin e dëbimit, bazuar në aprovimin të iniciativës së SVP/UDC “për dëbim e të huajve kriminelë” nga Zvicra të vitit 2012. Dëbimi i të huajve pra, fuqizohet në ligjin penal të Zvicrës nga 1 tetori 2016” thuhet në një artikull nga revista e sindikatës Unia “Horizonte”. Sekretari për migracion në këtë sindikatë, Osman Osmani e ka drejtuar këtë artikull sqarues për mediat në gjuhën shqipe, pasi që çështja që trajtohet i prek edhe shqiptarët me qëndrim në Zvicër
Është fakt se secili/a i/e huaj në parim mund të dëbohet. Me këtë rast nuk luan ndonjë rol se cilën leje qëndrimi ka personi i prekur (C, B, G, F, N apo S) ose edhe se a është fjala për qytetare/ë të vendeve të BE-së apo atyre të treta. Kjo domethënë se vetëm personat që posedojnë pasaportë zvicerane në asnjë rast nuk mund të dëbohen.
Krimet në vijim mund të çojnë tek dëbimi i të huajve: vrasja me (paramendim) dashje (vrasjet, goditjet vdekjeprurëse) lëndime të rënda trupore, format e rënda të vjedhjes (p.sh. vjedhjet me thyerjet, vjedhjet e përsëritura në bandë), plaçkitjet, mashtrimet profesioniste ose kriminaliteti ekonomik e deliktet e pasurisë, format e rënda të kërcënimit a të zhvatjes, sulmet (ngacmimet) seksuale dhe përdhunimi, martesa e detyruar, zjarrvënësja dhe deliktet vdekjeprurëse që rrezikojnë publiken (shoqërinë).
Edhe deliktet e lehta, shkas për dëbim
Mirëpo kujdes: Krahas krimeve të rënda të lartpërmendura, edhe deliktet tjera mund të çojnë në dëbim, e të cilat jo patjetër janë të cekura në këtë listë. Mashtrimi i thjeshtë në fushën e sigurimeve shoqërore (AHV/AVS, IV/AI, Arka e sigurimit të papunësisë, sigurimi nga aksidentet, sigurimi shëndetësor, trusti Pensional,, mashtrimi tatimor dhe mashtrimet tjera. Gjithashtu, marrja e paligjshme e përfitimeve nga fusha e sigurimeve shoqërore apo nga ndihmat sociale. Kjo domethënë se, secili/a që mashtron një qendër-pagimi apo Arkë me të dhëna a informacion të rremë, për të marrë përfitime në të holla (para), mund të dëbohet.
Shkeljet kundër ligjit për të huajt
Në fushën e ligjit për të huajt (migracion) mund të bëhen shkas për dëbim veprimet vijuese: Aktiviteti klandestin (ndihma dikujt që ka paguar për hyrje të paligjshme në Zvicër ose në një vend tjetër) ose sigurimin e një vendi pune dikujt pa leje përkatës të punës, madje edhe mashtrimet e autoriteteve për të marrë leje qëndrimi nga fusha e ligjit për të huaj. Angazhimi i fuqisë punëtore, pa leje pune dhe kryerja e punëve në të zezë, është gjithashtu e dënueshme, por nuk do të çojë në dëbim, as të punëdhënësit, as të punonjësit. Së fundit, gjithashtu të gjithë ata që kryejnë vepra të rënda në kundërshtim me ligjin mbi substancat narkotike, mund të dëbohen, gjithashtu edhe tregtimi me to në një shkallë të madhe. Nga ana tjetër, nuk janë të kërcënuar me dëbim kryesit e delikteve të ndryshme në fushën e ligjeve të trafikut rrugor.
Ndjekja penale për një nga veprat penale të numëruara nuk nënkupton domosdoshmërisht dëbimin nga Zvicra. Në çdo rast nevojitet një dënim i plotfuqishëm ligjor dhe nuk duhet të paraqes një rast të rëndë. Të tilla raste mund të jenë për shembull atëherë kur personi i huaj është i lindur tashmë në Zvicër dhe vendi i origjinës në të vërtetë nuk njihet fare.
Qytetarët e Kosovës mund të preken trefish
Kështu, veçanërisht qytetaret e Kosovës në Zvicër pa pasaportë zvicerane, në rast të shkeljeve të ligjeve si më lartë, përpos që dënohen me gjobë e burg, ata si dënim të dyfishtë në bazë të fuqizimit në ligjin e ri penal, dëbohen dhunshëm nga Zvicra për në vendin e tyre të prejardhjes. Dhe, si pasojë e humbjes së vendbanimit në Zvicër, ata në raport me migrantët tjerë dhe mërgimtarët tanë nga shtetet tjera të Evropës juglindore, me rastin e humbjes së vendbanimit në Zvicër dhe në mungesë të Marrëveshjes ndërshtetërore për sigurimet shoqërore mes Zvicrës dhe Kosovës, dënohen trefish, pasi me kthimin në vendin amë ata humbin edhe të drejtën për përfitime nga sigurimet shoqërore, gjegjësisht nga pensioni i pleqërisë e trashëgimtarëve dhe ai i invaliditetit”; thuhet në fund të artikullit sqarues.
E-Diaspora
-
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt Më 14–15 prill 2026 mbahet Samiti IV i Diasporës Shqiptare... -
Duartrokitet shfaqja e filmit “Shame and Money” të Visar Morinës në Amerikë -
Hamburg
Promovohet libri “Skënderbeu – Një hero arbëror i Evropës” më 7 shkurt në Hamburg -
Diaspora
Diaspora rrit të ardhurat e Kosovës +4% më shumë në vitin 2025 -
Itali
Brilant Milazimi përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venecias 2026
Jeta në Austri
-
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro Vjena pret që deficiti buxhetor i vitit 2025 të arrijë në total 2.8 miliardë euro, 1... -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç -
Austri
Rinesa Salijaj nga Istogu, kandidate për Asamble Komunale në St.Pölten të Austrisë -
Pranon fajin në tërësi: Tre vjet e gjysmë burg për kosovarin










