42 përqind e serbëve mendojnë se Kosova është humbur dhe se Serbia tani duhet të fokusohet te integrimi europian, përcjell albinfo.ch. Por gjithashtu, 36 përqind e tyre mendojnë se anëtarësimi i Serbisë në BE nuk do sjell ndonjë favor dhe se nuk duhet të bëhet kompromis në çështjen e Kosovës.
Megjithatë, kur vjen puna e sakrificës personale për Kosovën – 85 përqind e tyre nuk janë të gatshëm të zhvendosen në Kosovë me gjithë familjen, 78 përqind nuk duan të japin diçka nga paga e tyre për Kosovën, ndërsa 60 përqind e tyre nuk duan të humbin liberalizimin e vizave për Kosovën.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është kushti kryesor për anëtarësimin e Serbisë në BE. Kjo hë për hë duket përsëri e vështirë, pasi Kosova kërkon njohje të plotë nga Beogradi dhe ulëse në OKB, ndërsa Serbia kërkon një marrëveshje ku asnjëra palë nuk do mbetet e kënaqur.
Anketa është kryer në dhjetor 2017 dhe kanë marrë pjesë 1045 anketues.