Rreth shtatë milionë franga janë përvetësuar nga mashtruesit në kantonin Vaud të Zvicrës që nga fillimi i vitit, përmes skemave ku autorët paraqiten si policë ose punonjës bankash.
Sipas Policisë Kantonale të Vaud-it, janë regjistruar afro 2.300 raste, prej të cilave rreth 900 kanë përfunduar me sukses për mashtruesit.
Që nga fillimi i vitit, rreth 270 persona dyshohet se janë përfshirë në këto skema. Mbi 100 janë arrestuar, ndërsa 19 janë mbajtur në paraburgim. Vetëm në fillim të tetorit, autoritetet arrestuan 16 persona, pesë prej tyre në Lozanë.
Mashtruesit zakonisht kontaktojnë viktimat përmes telefonit, duke pretenduar se po zhvillohet një hetim ose se llogaritë bankare janë në rrezik. Në këtë mënyrë, ata përpiqen t’i bindin qytetarët të dorëzojnë para, stoli, karta bankare ose të dhëna konfidenciale. Të moshuarit janë ndër grupet më të shënjestruara.
Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos zbulojnë të dhënat bankare përmes telefonit, të verifikojnë çdo telefonatë të dyshimtë përmes numrave zyrtarë dhe të mos u dorëzojnë para personave të panjohur që paraqiten si policë apo punonjës bankash. Në rast mashtrimi të dyshuar, rekomandohet bllokimi i menjëhershëm i kartave bankare dhe raportimi i rastit në polici.