Shqipëria

Gjirokastra në boom turistik, lulëzojnë bizneset lokale

Gjirokastra po përjeton një rritje të ndjeshme të fluksit turistik, me vizitorë vendas dhe të huaj që krahas qytetit historik po orientohen gjithnjë e më shumë drejt fshatrave, peizazheve natyrore dhe traditave lokale.

Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, deklaroi se vetëm gjatë muajit korrik është evidentuar një interes në rritje për trashëgiminë kulturore të qytetit, por edhe për zonat rurale dhe potencialet e tyre turistike.

Sipas tij, që nga fillimi i vitit, më shumë se 150 mijë turistë kanë përfshirë territorin e Bashkisë Gjirokastër në itineraret e tyre.

Rritja e numrit të vizitorëve ka dhënë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale. Turizmi po krijon vende të reja pune dhe po nxit hapjen e bizneseve të reja, jo vetëm në qendrën historike, por edhe në fshatrat përreth.

Në zonat rurale janë shtuar bujtinat, restorantet, njësitë e shërbimit dhe strukturat e akomodimit, ndërsa familjet vendase po orientohen gjithnjë e më shumë drejt investimeve në turizmin familjar, shkruan atsh transmeton albinfo.ch.

Golemi theksoi se zhvillimi i turizmit po ndikon edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, përfshirë bujqësinë, blegtorinë dhe agropërpunimin. Të ardhurat që krijohen nga vizitorët po i nxisin banorët të investojnë në biznese të vogla dhe shërbime të lidhura me turizmin.

Një tjetër sektor që ka përfituar nga shtimi i turistëve është artizanati. Punimet tradicionale, zejtaria dhe produktet vendase po gjejnë një treg më të gjerë, duke krijuar mundësi të reja të ardhurash për prodhuesit vendas.

Bashkia, sipas Golemit, ka mbështetur artizanët dhe prodhuesit lokalë përmes lehtësive fiskale dhe heqjes së disa tarifave, me synim nxitjen e prodhimit dhe promovimin e traditave të zonës.

Në fokus mbetet edhe ruajtja e identitetit historik dhe arkitekturor të Gjirokastrës, e cila është pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s. Restaurimi dhe rijetësimi i monumenteve dhe hapësirave historike konsiderohen ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e interesit turistik.

Sipas kryebashkiakut Golemi, sfida kryesore është ruajtja e ekuilibrit mes zhvillimit të turizmit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Ndërtimet dhe ndërhyrjet në zonën historike duhet të respektojnë karakteristikat arkitekturore të qytetit të gurtë dhe standardet e përcaktuara për mbrojtjen e trashëgimisë.

Ndër projektet e rëndësishme të realizuara në qytet janë ndërhyrjet në rrugët karakteristike me kalldrëm në lagjet historike Dunavat, Palorto, Meçite dhe Pazari i Vjetër.

Punimet kanë përfshirë restaurimin e kalldrëmeve, krijimin e hapësirave të parkimit, përmirësimin e ndriçimit publik dhe shtimin e hapësirave të gjelbra.

Krahas investimeve në trashëgimi, Bashkia Gjirokastër po i kushton vëmendje edhe pastërtisë dhe mirëmenaxhimit të mbetjeve urbane, me synim përmirësimin e imazhit të qytetit dhe fshatrave përballë rritjes së numrit të vizitorëve.

Zhvillimi i turizmit po shndërrohet kështu në një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Gjirokastrës, duke sjellë jo vetëm më shumë vizitorë, por edhe më shumë mundësi për bizneset, familjet dhe prodhuesit vendas.