Lajme

Belgjikë, helmetat bëhen të detyrueshme për përdoruesit e skuterëve elektrikë

Duke nisur nga 1 shtatori, përdoruesit e skuterëve elektrikë në Belgjikë do të duhet të mbajnë detyrimisht helmetë. Masa e re është njoftuar nga Ministria Federale e Mobilitetit.

Rregulli do të vlejë për mjetet motorike të transportit personal që janë projektuar për të arritur një shpejtësi mbi 20 km/orë, pavarësisht shpejtësisë me të cilën lëvizin në momentin e përdorimit.

Autoritetet belge lejojnë përdorimin e një helmete për motorë të vegjël ose të një helmete biçiklete, për sa kohë ajo ofron mbrojtje edhe për tëmthat dhe pjesën e pasme të kokës.

Vendimi është marrë në kuadër të shqetësimeve në rritje për sigurinë e përdoruesve të skuterëve elektrikë. Sipas ministrisë, studimet ndërkombëtare, të dhënat mjekësore dhe statistikat e aksidenteve tregojnë se dëmtimet në kokë dhe tru janë ndër pasojat më të shpeshta në aksidentet e rënda apo fatale me këto mjete.

Në rrugët publike të Belgjikës lejohen skuterët elektrikë me shpejtësi maksimale deri në 25 km/orë. Për këtë arsye, detyrimi i ri për helmetën do të prekë kryesisht modelet që mund të arrijnë nga 20 deri në 25 km/orë.

Ndërkohë, në Bruksel është rishikuar edhe plani për ndalimin e skuterëve elektrikë të përbashkët. Ndalimi, i cili pritej të hynte në fuqi në shtator, është shtyrë dhe këto mjete do të mund të vazhdojnë të përdoren në kryeqytet deri në fund të vitit.

Belgjika kishte forcuar rregullat për skuterët elektrikë edhe në vitin 2022. Atëherë u vendosën kufizime për përdorimin e tyre nga personat nën 16 vjeç, u ndalua transportimi i pasagjerëve dhe qarkullimi në trotuare, ndërsa u përcaktuan edhe rregulla të reja për parkimin.