Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Vendimin ua ka bërë të ditur të mërkurën edhe anëtarëve të Kryesisë së partisë, ndërsa më pas ka folur për arsyet e këtij vendimi në një konferencë për media.
Hamza ka deklaruar se përgjegjësia politike nënkupton edhe të dish kur duhet të marrësh drejtimin e një subjekti dhe kur është koha për t’u tërhequr. Sipas tij, dorëheqja do t’i hapë rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda PDK-së.
Ai ka rikujtuar se drejtimin e partisë e mori në vitin 2020, duke theksuar se këtë përgjegjësi e kishte marrë për shkak të detyrimit ndaj subjektit politik dhe jo për ambicie personale. Gjatë udhëheqjes, siç tha, është përqendruar në ruajtjen e unitetit të partisë.
“ Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, u shpreh Hamza.
Ai ka folur edhe për pritjet që kishte pasur lidhur me udhëheqjen e ardhshme të partisë. Hamza tha se kishte shpresuar që pas 16 shtatorit drejtimin e PDK-së t’ua kthente ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në Hagë.
Në fund, Hamza theksoi se përpjekjet për drejtësi në këtë proces do të vazhdojnë.