Maqedonia

Zvicra vazhdon mbështetjen për Maqedoninë e Veriut në mbrojtjen e mjedisit

Bashkëpunimi do të fokusohet në menaxhimin e mbeturinave, mbrojtjen e ujërave nëntokësore, biodiversitetin dhe forcimin e shërbimeve publike

Ambasadori i Zvicrës, Christoph Sommer, së bashku me këshilltaren e re rajonale zvicerane për Ujë dhe Mjedis, Jacqueline Schmid, është takuar me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut, Muamet Hoxha.

Në takim është diskutuar për aktivitetet dhe ndërhyrjet e përbashkëta në fushën e mjedisit, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Zvicrës dhe Maqedonisë së Veriut, transmeton albinfo.ch.

Prej më shumë se 30 vjetësh, Zvicra është një nga partnerët e rëndësishëm zhvillimorë të vendit, duke mbështetur reforma në menaxhimin e ujërave dhe mbeturinave, mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike.

Në kuadër të parametrave të rinj të bashkëpunimit ndërkombëtar të Zvicrës, palët diskutuan për vazhdimin e projekteve në menaxhimin e mbeturinave të ngurta, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e ujërave nëntokësore, ruajtjen e biodiversitetit dhe ekosistemeve, si dhe forcimin e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së ndërmarrjeve publike.

Vëmendje iu kushtua gjithashtu riciklimit të mbeturinave të ambalazhit, si një nga fushat e bashkëpunimit në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm.

Zvicra ka riafirmuar angazhimin për të vazhduar mbështetjen ndaj integrimit evropian dhe proceseve reformuese të Maqedonisë së Veriut, me synim zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.