Qeveria zvicerane po shqyrton vendosjen e ankandeve për kuotat e importit të verës, me synimin për të mbrojtur prodhuesit vendas. Megjithatë, tregtarët paralajmërojnë se kjo masë nuk e zgjidh problemin kryesor të sektorit: rënien e konsumit.
Industria e verës në Zvicër po përballet me mbiprodhim, pasi konsumi ka rënë, ndërsa sipërfaqja e vreshtave dhe prodhimi kanë mbetur pothuajse të pandryshuara.
Këshilltari federal Guy Parmelin dhe Zyra Federale e Bujqësisë propozojnë që importuesit e verës të fitojnë kuotat përmes ankandeve, ku përparësi do të kenë ofertuesit që paguajnë më shumë. Kjo pritet ta shtrenjtojë verën e importuar dhe t’u krijojë më shumë hapësirë prodhuesve zviceranë.
Megjithatë, tregtari i njohur i verës, Philipp Schwander, e kundërshton këtë qasje, duke e cilësuar si një ide të vjetër dhe joefektive. Sipas tij, në vend që të vështirësohen importet, Zvicra duhet të mbështesë financiarisht përshtatjen e sektorit me tregun dhe të promovojë eksportin.
Schwander thekson se Zvicra eksporton vetëm 1.4 për qind të verës së saj, ndërsa Gjermania eksporton 40 për qind, Italia 50 për qind dhe Spanja 60 për qind. Sipas tij, verërat cilësore zvicerane kanë potencial në tregjet ndërkombëtare.
Edhe nga Zyra Federale e Bujqësisë pranojnë se ankandet nuk do ta zgjidhin problemin themelor të industrisë, i cili lidhet me ndryshimin e zakoneve të konsumit gjatë viteve të fundit.
Propozimi i ri për ankandet e importeve pritet t’i nënshtrohet konsultimit publik, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë edhe mënyra për të nxitur shitjen e verës zvicerane jashtë vendit.