Skip to content

Zvicra planifikon deri në 700 vende të reja pune për modernizimin e ushtrisë

Departamenti Federal i Mbrojtjes synon të shtojë specialistë në ushtri dhe në agjencinë e armatimit armasuisse deri në vitin 2035. Punësimet e reja pritet të financohen përmes shkurtimeve në administratë, menaxhim dhe komunikim.

Zvicra po planifikon të forcojë kapacitetet profesionale të ushtrisë në kuadër të modernizimit të saj, duke paraparë krijimin e 660 deri në 700 vendeve të reja të punës me orar të plotë deri në vitin 2035. Plani është iniciuar nga Departamenti Federal i Mbrojtjes (VBS), i drejtuar nga Martin Pfister, përcjell albinfo.ch.

Sipas planit, pozicionet e reja do të përqendrohen në ushtri dhe në armasuisse, institucionin përgjegjës për prokurimin dhe teknologjinë e armatimit të Konfederatës Zvicerane.

Për të realizuar këtë zgjerim pa rritur në të njëjtën masë numrin e përgjithshëm të punonjësve, departamenti synon të kompensojë punësimet e reja përmes shkurtimeve në sektorët e menaxhimit, komunikimit dhe administratës.

Megjithatë, sipas transmetuesit publik zviceran SRF, planet për reduktimin e vendeve të punës në këta sektorë kanë hasur në rezistencë brenda ushtrisë.

Rishikimi i strukturës së personelit pritet të jetë pjesë e përpjekjeve afatgjata të Zvicrës për të përshtatur burimet njerëzore me nevojat e reja të mbrojtjes dhe zhvillimet teknologjike. /Albinfo.ch