Lajme

Zvicra fillon rihapjen graduale të ambasadës në Iran

Një ekip i vogël ka rifilluar punën në ambasadën zvicerane në Iran, njoftoi të premten Ministria e Jashtme Zvicerane.

Vendimi për të rihapur gradualisht ambasadën u mor pas analizimit të rreziqeve dhe në marrëveshje me Teheranin dhe Uashingtonin.

I ngarkuari me punë zviceran dhe katër anëtarë të stafit po përgatiten për rifillimin e aktiviteteve të ambasadës, tha ministria në një njoftim për shtyp, duke shtuar se kjo do të varet nga zhvillimet në terren.

Shërbimet konsullore, përfshirë lëshimin e vizave, nuk mund të ofrohen ende. Pasi të jenë përfunduar të gjitha formalitetet, stafi tjetër do të jetë në gjendje të kthehet në Teheran, tha ajo, transmeton albinfo.ch.

Zvicra do të jetë përsëri në gjendje të përfaqësojë interesat e SHBA-së në Iran drejtpërdrejt në terren në cilësinë e saj si një fuqi mbrojtëse, shkruan swissinfo. Kanali i komunikimit midis dy vendeve mbeti i hapur gjatë mbylljes së përkohshme të përfaqësisë.

Ambasada u mbyll përkohësisht më 11 mars për shkak të situatës së pasigurt të sigurisë. Zvicra po vazhdon të monitorojë nga afër zhvillimet në rajon, tha ministria.