Shqipëria

Zvicra dhe Suedia mbështesin financiarisht bashkitë në Shqipëri

Grantet e Zvicrës dhe Suedisë për bashkitë në Shqipëri

Shqipëria, Zvicra dhe Suedia mbështesin bashkitë për përmirësimin e performancës dhe përafrimin e sistemeve të tyre me standardet e Bashkimit Evropian, transmeton albinfo.ch.

Granti i Bazuar në Performancë, i bashkëfinancuar nga Qeveria e Shqipërisë, Zvicra dhe Suedia, synon të shpërblejë bashkitë që tregojnë performancë të mirë, të përmirësojë sistemet e tyre të qeverisjes dhe t’i përafrojë ato me standardet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në takimin e parë, anëtarët e Komitetit të Vlerësimit diskutuan procedurat e aplikimit, dokumentacionin e nevojshëm dhe treguesit mbi bazën e të cilëve do të vlerësohen bashkitë pjesëmarrëse.

Drejtoresha për Qeverisjen dhe Shëndetësinë në Ambasadën e Zvicrës, Sabine Piccard, u bëri thirrje anëtarëve të komitetit që procesi i vlerësimit të zhvillohet në mënyrë objektive, të njëtrajtshme dhe transparente.

“Inkurajojmë të gjithë anëtarët e Komitetit që t’i qasen vlerësimit me objektivitet, konsistencë dhe transparencë”, tha Piccard, duke theksuar rëndësinë e përdorimit të të njëjtave standarde për të gjitha bashkitë.

Sipas saj, vendimet duhet të bazohen në prova dhe në kriteret e dakordësuara, me qëllim që procesi të jetë sa më i drejtë dhe transparent.

Programi synon që përmes përmirësimit të performancës së bashkive të kontribuojë edhe në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët./Albinfo.ch