Skip to content

Xherdan Shaqiri mohon zërat për largimin nga Baseli

(KEYSTONE/Urs Flueeler)

Kapiteni i Baselit, Xherdan Shaqiri, ka reaguar ndaj spekulimeve për të ardhmen e tij, duke mohuar raportimet se tashmë ka marrë vendim për t’u larguar nga klubi zviceran në verën e vitit 2027

Futbollisti shqiptar, 35-vjeçar, ka reaguar përmes një postimi në Instagram, pasi ditët e fundit kanë qarkulluar informacione se ai dhe FC Basel do të ndajnë rrugët pas përfundimit të kontratës aktuale.

Sipas gazetës zvicerane Blick, spekulimet nisën pas publikimit të një videoje nga një influencues i futbollit, i cili pretendonte se Shaqiri do të largohej nga Baseli në fund të sezonit 2026/27.

Megjithatë, ish-reprezentuesi i Zvicrës ka hedhur poshtë këto pretendime, duke theksuar se ende nuk është marrë asnjë vendim për të ardhmen e tij, transmeton albinfo.ch.

Shaqiri ka bërë të ditur se raportimet për një vendim të supozuar lidhur me të ardhmen e tij janë të pavërteta. Ai ka konfirmuar gjithashtu se vazhdon të ketë komunikim të mirë me drejtuesit e Baselit dhe se të dyja palët do të informojnë publikun sapo të ketë një vendim konkret.

Kapiteni ka theksuar se vazhdon ta shijojë qëndrimin në klub dhe se është i përkushtuar të ndihmojë skuadrën të rikthehet te rezultatet pozitive.

Baseli po kalon një periudhë të vështirë në kampionatin zviceran. Nën drejtimin e trajnerit Slavisa Jokanovic, i emëruar në fund të shtatorit, skuadra nuk ka regjistruar asnjë fitore në katër ndeshjet e fundit të Superligës, duke shënuar dy barazime dhe dy humbje.

Aktualisht, Baseli renditet në pozitën e shtatë të tabelës, larg pritshmërive të klubit dhe tifozëve.

Shaqiri u rikthye te Baseli në verën e vitit 2024, pas 12 vjetësh të kaluar në futbollin ndërkombëtar. Në sezonin e tij të parë pas rikthimit, ai e udhëhoqi skuadrën drejt fitimit të titullit kampion dhe Kupës së Zvicrës.

Në edicionin aktual, futbollisti ka regjistruar tri gola dhe një asistim në 12 paraqitje në kampionat. Kontrata e Shaqirit përfundon në verën e vitit 2027, por deklarata e tij e fundit tregon se e ardhmja mbetet e hapur dhe se nuk ka ende një vendim përfundimtar për vazhdimin apo ndërprerjen e bashkëpunimit me Baselin.