Kosova

Votohet në parim Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen

Pas miratimit në parim Projektligjit duhet të shqyrtohet në katër komisionet e përhershme të Kuvendit, për t’u rikthyer në seancë për shqyrtim në lexim të dytë

Është votuar me 91 vota për në lexim të parë Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Specialen.

Në votim nuk ka marrë pjesë Grupi Parlamentar i LDK-së.

Deputeti Përparim Gruda ka paraqitur propozimet për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Specialen, transmeton albinfo.ch.

Ndër të tjera ka deklaruar se procesi 6-vjeçar në Gjykatën Speciale ka vërtetuar përtej çdo dyshimi se nuk kishte trafikim të organeve, akuzë mbi të cilën u themelua Gjykata Speciale. Ai ka thënë se tashmë Kosovës i është vënë një re tjetër e zezë e të cilën Kuvendi nuk duhet ta lejojë.

Ka deklaruar se nuk prishin asnjë detyrim ndërkombëtar me këtë veprim.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli ka rekomanduar që të miratohet në parim Projektligji në fjalë.

Të dielën nga PDK-ja që e ka iniciuar nismën për ndryshim të Ligjit, kanë thënë se presin që ai të miratohet të hënën në të dyja leximet.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se pas miratimit të projektligjit, partia e tij është e gatshme për marrëveshje me Vetëvendosjen për zgjedhjen e presidentit, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të reja.

Afati i fundit për zgjedhje të presidentit është 6 tetori.

Pas miratimit në parim Projektligjit duhet të shqyrtohet në katër komisionet e përhershme të Kuvendit, për t’u rikthyer në seancë për shqyrtim në lexim të dytë.