E-Diaspora
Viti 2023, shqiptarët shkruajnë historinë në Zvicër
Editorial i botuar në numrin më të ri, të fundit për këtë vit, të revistës albinfo.ch
Në përfundim të vitit 2023 është e rëndësishme të hedhim një vështrim mbrapa për të vlerësuar rrugën që kemi ndjekur dhe të bëjmë bilance rreth zhvillimeve të aktualitetit të shqiptarëve në Zvicër dhe gjetiu në diasporë.
Vitin që po lëmë pas e ka karakterizuar një vazhdim i përpjekjeve për të forcuar pozicionin e komunitetit shqiptar në jetën politike zvicerane.
Për një vend në Parlamentin Federal të Zvicrës kanë vënë kandidaturën e tyre rreth 30 politikanë me rrënjë shqiptare. Por, vetëm njëri prej tyre arriti të triumfojë në këtë garë për shkak të dembelisë elektorale të shqiptarëve me të drejtë vote.
Sido që të jetë, historia po shkruhet tani: Islam Alijaj zgjidhet deputet i parë me rrënjë shqiptare në Parlamentin e Zvicrës.
Alijaj, duke qenë vetë person me nevoja të veçanta, është i njohur për angazhimin e tij të palodhshëm për të drejtat e kategorisë së njerëzve, të cilës i takon. Ai ka qenë deri më tani asamblist shumë aktiv në Asamblenë e Qytetit të Cyrihut. Por, më shumë se kaq, Alijaj është një lobist i flakët, në nivel vendi, për çështjen e personave me nevoja të veçanta.
Edhe Ylfete Fanaj ka shkruar historinë sërish në Zvicër, duke u zgjedhur e para shqiptare si ministre kantonale.
Ajo fitoi përfaqësimin e kantonit të Lucernit dhe kjo shënon edhe postin më të lartë ekzekutiv që një shqiptare mban në Zvicër.
Madje, falë Fanajt, PS (Partia Socialdemokrate) arriti të rikthehej në qeverinë e Lucernit. Për tetë vjet, PS nuk ishte më e përfaqësuar në ekzekutiv të këtij kantoni.
Ylfete Fanaj ka kaluar deri më tani të gjitha shkallët e karrierës politike në nivelin komunal dhe atë kantonal. Ajo është e pranishme në politikën e Lucernit që nga viti 2007. Pas postit në legjislativin e komunës, ajo ka realizuar dy mandate në Parlamentin e Kantonit, duke u zgjedhur në vitin 2021 edhe kryetare e Parlamentit, që ishte, deri atëherë, posti më i lartë i mbajtur ndonjëherë nga një politikan me prejardhje të huaj, dhe jo vetëm në kantonin e saj.
Pos politikës, shqiptarët shënuan suksese edhe në fusha të tjera. Pesë shqiptarë dolën këtë vit në mesin e influencuesve më të mirë të Zvicrës. Biznesi i influencuesve në Zvicër duket se po lulëzon dhe këtu po tregojnë suksese të jashtëzakonshme Mimoza Lekaj me motrën e saj Ardiana Lekaj, Taulant Gashjani, i njohur si T-Ronimo, Mirlinda Lajqi dhe reperi EAZ, Arbër Rama…
Në këtë zinxhir të sukseseve të komunitetit shqiptar të Zvicrës, vlen të përmendet edhe ky numër jubilar i magazinës albinfo.ch, që është i 70-ti me radhë. Lexim të këndshëm dhe uroj të keni një vit të mbarë! Qoftë 2024 viti i shqiptarëve!
Sevdail Tahiri, drejtor i platformës albinfo.ch Online&Print
E-Diaspora
-
Ambasadorët dhe bizneset diskutojnë mundësitë për investime dhe bashkëpunim ekonomik Forumi Business to Ambassador (B2A), i zhvilluar në kuadër të Konferencës së IX të Ambasadorëve, mblodhi... -
Bebe Rexha arrin një tjetër sukses, “New Religion” kalon 100 milionë dëgjime në Spotify -
Prishtinë
Kontrollorët alarmojnë për lazerët ndaj avionëve në Prishtinë: “Rrezikohet siguria e qindra udhëtarëve” -
320 të rinj nga diaspora pjesë e programit OriginAL -
“Të largohesh apo të qëndrosh?” – Migrimi dhe dilemat e të rinjve në filmat e DokuFestit
Jeta në Austri
-
Austri: Arrihet marrëveshja, këta klientë të bankës marrin paratë mbrapsht Një "shpërthim i madh" të hënën në Austri! Klientët e Erste Bank dhe të shumë bankave... -
Gratë në Austri marrin rreth 40% më pak pension se burrat -
Vjenë: Vazhdon orari i zgjatur i pishinave -
Vjenë: 72-vjeçari dyshohet se kidnapoi dhe mbajti me dhunë një djalë 4-vjeçar -
Kosovë: Një jetë e re për qentë endacakë












