Vetura “Opel Astra” që u përdor nga vrasësit në atentatin ndaj ish-liderit të serbëve të veriut Oliver Ivanoviq, i përkiste një person 70-vjeçar, i cili figuron si i vdekur. Sipas mediumit serb Novosti, vetura i takon një austriaku me prejardhje serbe. Pronari i veturës nuk është më gjallë dhe kjo ka ngritur spekulime për mënyrën se si vrasësit kanë arritur deri tek automobili.
Më herët, Policia e Kosovës raportoi se ka informacione të reja mbi vrasjen e politikanit serb, pas bisedimeve me disa dëshmitarë, xhirimeve të kamerave të sigurisë dhe informacioneve të marra përmes rrugës së komunikimit të mbrojtur, bisedave të besueshme telefonike, e-mailave dhe shkrimeve nga rrjetet sociale, shkruan KP.
Thuhet se në hetimet e deritanishme është identifikuar pronari i automobilit “Opel Astra”, i cili dyshohet të jetë përdorur në vrasjen e kreut të Iniciativës Qytetare Liria, demokracia, drejtësia.