Kosova
Vazhdojnë të rriten çmimet e banesave në Kosovë
Në nivel vendi, pronat u shtrenjtuan për 7.3 për qind, sipas Indeksit të Çmimeve të Pronave të Banimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK)
Prishtina vazhdon të ketë disa prej çmimeve më të larta të pronave në Kosovë. Por, rritja më e madhe nuk po ndodh më në kryeqytet.
Në tremujorin e dytë të këtij viti, çmimet e pronave të banimit në rajonet e tjera të Kosovës u rritën për 12.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në Prishtinë, rritja ishte 4.1 për qind, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.
Në nivel vendi, pronat u shtrenjtuan për 7.3 për qind, sipas Indeksit të Çmimeve të Pronave të Banimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të tregut thonë se qytetet e tjera po ndjekin trendin e Prishtinës – me më shumë ndërtime dhe çmime më të larta.
Por, ajo që shihet në treg, nuk përfundon gjithmonë në kontratën e shitjes. Në Prizren dhe Lipjan, për shembull, përfaqësues të agjencive të patundshmërive thonë se çmimet fillestare negociohen dhe, në disa raste, pronat shiten dukshëm më lirë.
Qytetet e tjera ndjekin trendin e Prishtinës
Në Prishtinë, çmimet e banesave aktualisht variojnë nga rreth 1.100 deri në 3.000 euro për metër katror, varësisht nga lagjja, ndërtuesi, cilësia e ndërtimit dhe infrastruktura.
Nagip Skenderi, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se rajone të caktuara “janë duke e kopjuar Prishtinën, si shembull për ndërtimin dhe çmimin e banesave”.
“Si po bën Prishtina, tash po bëjnë edhe qytetet tjera. Në disa qytete kanë filluar të ndërtohen ndërtesa pranë ndërtesave”, thotë Skenderi për Radion Evropa e Lirë.
Me modelin e ndërtimit, sipas tij, është përhapur edhe një mënyrë financimi: shitja e banesave që në fazat e hershme të projektit.
Blerësit që paguajnë paraprakisht dhe me para të gatshme mund ta marrin pronën me çmim më të ulët, ndërsa investitori i përdor ato mjete për vazhdimin e ndërtimit.
“Nëse është çmimi i planifikuar (për metër katror) 1.500 ose 1.300 euro, atij blerësi mund t’ia japë me 900 – 1.000 euro, në rast se ai e paguan me paradhënie. Ato mjete i investon, pastaj, në ndërtim. Ky sistem shpjegon ngritjen artificiale të vlerës në treg”, thotë Skenderi.
Prizreni i afrohet Prishtinës me çmime
Në Prizren, diferenca me kryeqytetin është ngushtuar.
Në qendër dhe në zonat pranë saj, çmimet e pronave të banimit variojnë nga 1.200 deri në 1.700 euro për metër katror, sipas Verim Morinës, pronar i agjencisë B-LUX Real Estate. Në periferi, ato lëvizin nga 750 deri në 800 euro. “Do të thotë, Prizreni, pak a shumë, është i njëjtë me Prishtinën për nga çmimet. Por, mund të them se shitjet sivjet janë vetëm sa një e treta e vitit të kaluar”, thotë ai, duke u bazuar në vëzhgimet e tij dhe jo në të dhëna të verifikuara nga ndonjë institucion.
Radio Evropa e Lirë kërkoi nga Agjencia Kadastrale e Kosovës të dhëna për trendin e shitjeve këtë vit dhe vitin e kaluar, por nuk mori përgjigje. Brahim Selimaj nga Shoqata e Ndërtuesve të Kosovës thotë, po ashtu, se shitjet e pronave kanë rënë këtë vit, krahasuar me dy vjetët e kaluar.
Sipas tij, ky trend ka nisur më herët dhe lidhet, mes tjerash, me ndryshimin e mënyrës se si diaspora po i orienton investimet.
“Para dy vjetësh ka nisur rënia e shitjes së banesave, për shkak se diaspora ka nisur të investojë jashtë vendit”, thotë Selimaj për Radion Evropa e Lirë.
Paradoksi i tregut të patundshmërive: Mbi 180 mijë banesa të zbrazëta
Skenderi thotë se një pjesë e pronave të pashfrytëzuara janë blerë nga mërgimtarë nga Kosova, të cilët kanë investuar në patundshmëri, por nuk jetojnë rregullisht në to.
“Këtë do ta quaja investim gjysmë i vdekur, në kuptimin që e blen një banesë dhe nuk e shfrytëzon në tërësi, sepse nuk jeton në Kosovë. Ndërkaq, përpiqen që investimet t’i kthejnë përmes qiradhënies, e jo gjithmonë arrijnë t’i japin me qira”, thotë Skenderi.
Ai shton se numri i pronave të pashfrytëzuara lidhet edhe me ritmin e ndërtimeve.
“Kjo ndodh për shkak të fluksit të madh të ndërtimit. Blerësit, të cilët i kanë investuar paratë, në njëfarë mënyre po e rrezikojnë investimin e tyre, sepse nuk e shfrytëzojnë banesën, e as nuk mund ta lëshojnë me qira”, thotë ai.
Patundshmëritë, destinacioni kryesor i investimeve të huaja
Megjithatë, patundshmëritë vazhdojnë të tërheqin qindra miliona euro investime.
Të dhënat publike të Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se gjatë vitit 2025 investimet e huaja arritën në rreth 1.1 miliard euro, prej të cilave rreth 770 milionë euro shkuan në aktivitete të patundshmërisë.
Në periudhën janar-qershor të vitit të kaluar, investimet e huaja në patundshmëri ishin rreth 351 milionë euro.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, investimet e huaja në Kosovë arritën në rreth 467 milionë euro. Rreth 317 milionë euro prej tyre shkuan në aktivitete të patundshmërisë. Kjo shumë ishte rreth 34 milionë euro më e ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Rama në Michigan: Do të hapim konsullatën shqiptare, Shqipëria nuk është më vend mbijetese Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, gjatë vizitës së... -
Në një shkollë të Bronx-it, shqipja mësohet krahas anglishtes -
Brajan Gruda e zgjedh Gjermaninë, përpara Shqipërisë -
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Jeta në Austri
-
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së Pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, tubime janë paralajmëruar në Gjermani, Zvicër, Austri dhe... -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje -
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions











