Valët ekstreme të të nxehtit pritet të bëhen gjithnjë e më të zakonshme në Zvicër, si pasojë e ndryshimeve klimatike, paralajmërojnë ekspertët, përcjell albinfo.ch.
Sipas klimatologut Reto Knutti nga Instituti Federal i Teknologjisë në Cyrih (ETH Zurich), periudhat me temperatura shumë të larta nuk janë një fenomen i ri, pasi kanë ekzistuar gjithmonë. Megjithatë, ndryshimet klimatike kanë ndryshuar ndjeshëm situatën.
“Temperaturat janë rritur me pothuajse 3 gradë Celsius. Si rezultat, pragu i valëve të të nxehtit tejkalohet më shpesh dhe këto periudha ndërpriten më rrallë”, ka deklaruar Knutti.
Ai theksoi se qytetarët duhet të mësohen me këtë realitet të ri, pasi valët e të nxehtit si ajo e qershorit nuk do të jenë më përjashtim.
“Së ardhmi, kjo valë e të nxehtit e qershorit nuk do të jetë një përjashtim, por normaliteti i ri”, u shpreh klimatologu./Albinfo.ch