Lajme

Ukraina aplikon për anëtarësim në BE

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka ndërmarrë një hap historik në kohën kur vendi i tij po përballet me pushtim nga Rusia. Ai nënshkroi një kërkesë për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Sipas sekretarit për media të presidentit të Ukrainës, Serhiy Nikiforov, ky është një dokument historik. “Kërkesa për anëtarësim në Bashkimin Evropian u nënshkrua nga presidenti i Ukrainës në Kiev më 28 shkurt 2022″, tha ai.

Nikiforov publikoi edhe një foto të dokumentit të aplikimit.

Në të thuhet: “Me këtë letër, Ukraina, si një shtet evropian që respekton vlerat e parashikuara në nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian, ka nderin të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian në përputhje me nenin 49 të Traktatit mbi Bashkimin Evropian”, përcjell Albinfo.ch.

Siç është raportuar nga mediat ndërkombëtare, në mëngjesin e 28 shkurtit, presidenti Volodymyr Zelensky tha se autoritetet ukrainase po i bënin thirrje BE-së për pranimin e menjëhershëm të Ukrainës sipas një procedure të veçantë.