Made in Kosova

Tetë kompani kosovare në kërkim të tregut zviceran

Tetë kompani nga Kosova janë duke i promovuar produktet e tyre tradicionale dhe ushqimore në Panairin “Slow Food Market”, i cili po mbahet në Cyrih të Zvicrës nga data 18-20 nëntor 2016

 

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • Fitore Avdijaj nga Agroprodukt

  • Hit Flores nga Dragashi

  • Krusha nga Krusha e Madhe

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • Kompania Jege nga Prizreni

  • albinfo.ch

  • Fahrije Hoti nga Krusha e Madhe

  • albinfo.ch

Fahrije Hoti nga Krusha e Madhe, e cila drejton kooperativën “Krusha”, po merr pjesë në  Panairin “Slow Food Market” , që ka hapur dyert sot në Cyrih të Zvicrës.

Ajvarin dhe turshitë, produkte të patentuara nga kooperativa „Krusha“, ajo po ua prezantonte vizitorëve zviceranë të panairit.

  • Fahrije Hoti nga Krusha e Madhe

Hoti, një grua ndërmarrëse shumë e guximshme nga Kosova, është hera e parë që po prezanton produktet nga Krusha e madhe në një panair të këtillë.

Megjithëse produktet e kooperativës “Krusha” kanë pushtuar  tregun zviceran që nga 2014, zonja Hoti shpreson shumë nga Panairi “Slow Food Market”.

Produkte nga kooperativa „Krusha“, i gjeni gjithandej nëpër Zvicër.

Pjesëmarrja e kooperativës “Krusha” dhe 7 kompanive tjera është mbështetur  nga Qeveria e  Zvicrës përmes projektit PPSE të organizatës Swisscontact dhe nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) në Ministrinë kosovare të Tregtisë dhe Industrisë.

Kreshnik Rugova nga kjo agjenci tha për albinfo.ch se është hera e parë që marrin pjesë  8 firma nga Kosova në një panair të një karakteri tjetër siç është “Slow Food Market”

“ Janë produkte ushqimore që nuk prodhohen dhe kultivohen në mënyrë serike por janë më specifike, janë më natyrale dhe bio. Disa nga firmat janë tashmë prezentë me produktet e tyre edhe në tregun zviceran. Viteve të fundit shumica e kompanive e kanë rritur cilësinë dhe janë të certifikuara me ISO standarde. Deri tash nuk kanë mundur të depërtojnë në tregun evropian por me rritjen e kualitetit, dhe me zhvillimin e pjesës së marketingut dhe dizajnit  janë gjithnjë më të pranishme në shtetet si Gjermania, Zvicra, Holanda etj.”, tha Gashi..

Të njëjtat kritere është dashur të plotësohen që të jenë të pranishme dhe në këtë panair, do të thotë produkte që nuk prodhohen dhe kultivohen në mënyrë serike por janë më speciale.

  • Kompania Jege nga Prizreni

Kompania “Jege” nga Prizreni, e cila kishte filluar prodhimin në vitin 2014 merret me konservimin e zarzavateve.

Tashmë  “Jege” ka depërtuar në tregun e Gjermanisë, ka dy vjet që eksporton produktet e tyre për bashkatdhetarët e atjeshëm nga Kosova.

“Firma “Jege” ka kapacitete të mjaftueshme varet nga kërkesa, por edhe kualitet ngase nuk është lehtë të pranoheni në tregun gjerman”, tha për albinfo.ch Gëzim Berisha.

  • Fitore Avdijaj nga Agroprodukt

“Agroprodukt” nga Istogu është një kompani që po merr pjesë në shumë panaire, si në Gjermani, Austri dhe tash në Zvicër.

“Agroprodukt” prodhon dhe kultivon bimë mjekësore dhe aromatike dhe është kompania e vetme që i ka të certifikuara produktet bio, madje ka tashmë kontrata edhe më firma zvicerane.

“Bimët grumbullohen dhe kultivohen për tregun evropian për kompani të ndryshme. Kompanitë merren me prodhimin final të tyre ose për çaj ose për kozmetikë ose për farmaceutikë”, tha Fitore Avdijaj nga Agroprodukt

Janë 74 bimë mjekësore që prodhohen dhe kultivohen nga Agroprodukt në 45 qendra grumbulluese në tërë territorin e Kosovës.

  • Hit Flores nga Dragashi

Erkan Bajrami nga “Hit Flores” thotë se tashmë kanë arritur cilësinë për të prezantuar produktet e tyre në panairet jashtë vendit.

“Pasi kemi kualitet shpresojmë shumë nga ky panairi”, nga firma “Hit Flores” që merret me grumbullimin e frutave të malit, grumbullim të bimëve mjekësore dhe kërpudhat.”, tha Erkan Bajrami.

Kastriot Shllaku nga kompania “Frutomania” e Gjilanit derisa prezantonte frutat në stendën e tij në Cyrih, në një prononcim për albinfo.ch shprehet optimist se do të lidhin kontratë me një firmë zvicerane, e cila do të importonte produktet e tyre në Zvicër..

Në këtë panair prodhuesit kosovarë përveç promovimit të produkteve të tyre janë duke zhvilluar kontakte me kompanitë pjesëmarrëse me qëllim të krijimit të bashkëpunimit dhe lidhjes së kontakteve në të ardhmen.

“Slow Food” ka punuar për më shumë se 20 vjet për kthimin drejt traditave më të mira ushqyese dhe specialiteteve të punuara me dorë. Për këtë arsye, më shumë se 10 vjet më parë, një panair për produktet ushqimore për herë të parë kishte hapur dyert në Itali, pastaj në Gjermani dhe që nga viti 2011 në Zvicër.

“Slow Food” sensibilizon njerëzit që vlerësojnë shijen, shumëllojshmërinë e produkteve dhe tradicionalen. Në “Slow Food Market” është i mundur një kontakt personal me prodhuesit.