Jeta në Austri

Të jetosh në Grac me buxhet të kufizuar

Shumica e studentëve jetojnë me fonde të limituara dhe kjo shkakton shumë ankth dhe stres. Për këtë, unë dua të ndaj disa këshilla me ju se si të jetosh në Grac të Austrisë, me buxhet të kufizuar si një student i ardhur në Austri nga një vend i huaj

 

Planifikimi i buxhetit

Një pjesë shumë e rëndësishme e studimeve jashtë vendit ka të bëj me çështjet financiare. Prandaj, duhet planifikuar paraprakisht sasinë e fondeve që na nevojiten dhe si t’i ndajmë ato. Me rastin e aplikimit për lejeqëndrim, autoritetet zakonisht duan që ti të kesh një sasi të parave në llogarinë bankare – sasi kjo që sipas tyre nevojitet për të jetuar një vit në Grac. Mirëpo, nëse planifikon si duhet buxhetin, do të shpenzosh më pak se aq. Për të krijuar një plan të mirë të buxhetit, duhet filluar nga kostot (shpenzimet) fikse, dhe me pas të llogaritësh ato të ndryshueshmet.

Kostot fikse dhe variabile (të ndryshueshme)

  • Akomodimi 

Në Grac ka lloje të ndryshme të vendbanimeve nga të cilat mund të zgjedhësh. Mund të jetosh në konvikt, në një banesë (apartament të përbashkët) apo të kesh banesën tënde. Çmimet për person janë prej 250 deri në 500 euro për muaj. Në konvikt, mund të kesh dhomë njëshe apo dyshe. Në çmim përfshihen rryma elektrike, uji, ngrohja dhe interneti (I limituar në p.sh 100 GB). Dhomat mund të jenë në një kat me kuzhinë dhe banjë të përbashkët apo ndonjëherë në formë të një banese të vogël brenda konviktit.  Opsioni tjetër është të ndash banesën më njerëz të tjerë (në gjermanisht “Wohngemeinschaft” ose shkurt WG). Këtu zakonisht ke një dhomë njëshe por mund të mos përfshihen të gjitha shpenzimet. Për shembull, çmimi mund të jetë 300 euro, por duhet të merren parasysh rryma elektrike, uji, interneti dhe kostot tjera ( të quajtura “Betriebskosten”). Këto kosto nuk janë fikse dhe ndryshojnë varësisht prej nivelit të përdorimit (p.sh sa harxhojmë rrymë elektrike). Mirëpo, ndonjëherë kostot përfshihen në çmim, prandaj është më mirë që të pyetet qiradhënësi më herët se çka përfshihet e çka jo. Opsioni i fundit është të marrësh me qira banesë personale, që është opsion shumë i mirë mirëpo edhe më i shtrenjtë. Çmimi minimal për një banesë të vogël është rreth 300 euro – pa përfshirë kostot tjera. Çmimet gjithashtu varen nga gjendja e akomodimit dhe vendndodhja.

  • Pagesat semestrale dhe fondet e universitetit

Pagesa për një semestër në një universitet publik për studentët nga BE (Bashkimi European) dhe ata jashtë BE-së ndryshon. Për studentët nga BE-ja është rreth 20 euro, kurse për ata jashtë BE-së rreth 750 euro. Për qytetarët e disa shteteve, 730 euro mund të rimbursohen nëse studenti arrin t’i marrë 12 ETCs. Për studentët që ndodhen në vështirësi financiare, mund të aplikojnë për fondet e ofruara nga unioni studentor në Grac dhe Vjenë.

 

  • Sigurimi shëndetësor

Sigurimi shëndetësor nuk është vetëm i nevojshëm por i obligueshëm sipas ligjeve austriake. Studentët pajisen me sigurimin shëndetësor publik për student nga ÖGK-ja (Fondi i Sigurimeve Shëndetësorë Austriake) , që kushton përafërsisht 62 euro për muaj. Me kartën shëndetësorë, studenti nuk paguan për vizitat mjekësore, tek mjekët që kanë kontratë me ÖGK. Për të ditur cilët mjekë e pranojnë këtë lloj sigurimi, mund të shikoni faqen www.docfinder.at. Alternativë tjetër është sigurimi shëndetësor privat feelsafe.at, i ngjashëm me atë publik. Ndryshimi mes këtyre dy sigurimeve është se me sigurimin feelsafe së pari bën pagesën tek mjeku dhe më pas merr rimbursimin për atë pagesë.

Transporti

Graci ka një sistem të shkëlqyeshëm të transportit publik që përfshin autobusët, tramvajet dhe trenat. Çmimi për një biletë një orësh është 2,40 euro kurse për 24 orë është 5,50 euro. Studentët nën moshën 26 vjeçare mund të blejnë  biletën semestrale “student top ticket” për 150 euro që përfshin të gjitha zonat regjionale. Studentët mbi moshën 26 vjeçare mund të blejnë biletën e zonës 101 për të gjithë vitin me një çmim më të lire rreth 280 euro (duhet të kesh dëshmi se jeton në këtë zone). Në rast se dëshironi të kurseni më shumë, mund të përdorni biçikletë, skuter apo thjeshtë të ecni. Gjithashtu, mund të përdorni tramvajin falas në tri stacione në qendrën e qytetit.

  • Ushqimi

Në Grac, mund të zgjedhësh  nga një shumëllojshmëri ushqimesh. Për studentë, opsionet më të lira janë tek dyqanet turke ose disa lokale të quajtura “Bausatzlokale” që ofrojnë ushqime në sasi të bollshme me çmime të arsyeshme. Çmimet fillojnë nga 4 euro dhe ndryshojnë varësisht nga lloji dhe sasia e ushqimit. Nëse përgatisni ushqimin vet, marketet më të mira janë Hofer, Lidl dhe ndonjëherë SPAR. Pak më shtrenjtë është Billa Plus. Për pemë dhe perime të freskëta, dyqanet turke janë një opsion i mirë.

  • Numri i telefonit dhe interneti

Me shpërnguljen në Austri, të nevojitet një numër i ri i telefonit. Mund të lidhësh kontratë me kompanitë e telekomit siç janë: A1, Magenta, Drei, me ç’rast paguan në baza mujore çmimin varësisht nga pako e zgjedhur. Alternativë tjetër është blerja e një numri prepaid të çilin e mbush manualisht. Këta numra ofrohen nga YES, HOT etj. me çmime që fillojnë nga 10 euro për muaj. Me aktivizimin e një pakoje me 10 euro për muaj, merr 1000 min/sms dhe 10000MB. Mbushja e numrit mund të bëhet përmes kartelave (që blihen në markete) ose përmes aplikacionit mobil përkatës. Për më tepër, në rast se nuk jeni në Austri për një apo dy muaj, mund edhe të mos e mbushni numrin e telefonit.

  • Pajisjet dhe shërbimet

Kur jeton në shtet tjetër, do të kesh nevojë për shumë gjëra si pajisjet e kuzhinës, të banjës, të pastrimit dhe të shkollës. Të gjitha këto mund t’I gjeni në IKEA, KIK apo Libro. Për opsione edhe më të lira, mund të kërkoni në www.willhaben.at. Përmes kësaj uebfaqeje, njerëzit shesin apo dhurojnë falas pajisje të përdorura. Ripërdorimi i këtyre pajisjeve ndihmon jo vetëm në kursimin e buxhetit tuaj por edhe në ruajtjen e ambientit në aspektin afatgjatë. Në Facebook, ka grupe si “Graz versçhenkt” ku njerëzit dhurojnë gjëra të ndryshme falas. Në Grac gjithashtu ka një dyqan që quhet Nachhaltig in Graz (https://nachhaltig-in-graz.at), ku mund të shkosh të gjesh gjëra falas, apo të dhurosh gjëra që nuk të nevojiten më. Sa i përket mjeteve shkollore, mund të vizitoni panairet e universitetit, ku, jo vetëm që mund të aplikoni për punë por edhe të merrni shume gjëra si fletore, lapsa, vizore etj falas. Kompanitë i japin këto mjete falas si pjesë e strategjisë së tyre të marketingut. Për përdorimin e printerëve, mund të mbushni kartelën e studentit me minimum 10 euro dhe mund të printoni dokumente në të gjithë printerët e kampusit universitar.

  • Shpenzimet të tjera dhe fondet emergjente

Përveç shpenzimeve të sipërpërmendura, mund të nevojiten fonde edhe për aktivitete apo ngjarje të tjera interesante. Për shembull,  mund të marrësh zbritje për student për pije, ushqime por edhe për vizita në muze, ekspozita apo bileta për koncerte. Në disa raste, mund të përfitosh zbritje për grupe më të mëdha nëse ke një kartë lojaliteti apo aplikacion për ndonjë dyqan të caktuar. Gjithashtu, mund të marrësh pjesë në shumë ngjarje/evente interesante të universitetit apo “Welcome Center”. Në të gjitha rastet, një pjesë e fondeve duhet të ruhet për raste emergjente.

Përfundim

Si përfundim, mos harro se jetesa dhe studimet jashtë vendit kanë shpenzime të mëdha. Për mendimin tim, një buxhet i mirë mujor është rreth 750-800 euro, kurse një buxhet minimal përafërsisht 550-600 euro. Sidoqoftë, nëse merr parasysh të gjitha shpenzimet e lartpërmendura dhe planifikon paraprakisht, mund të kesh (edhe me buxhet minimal) një jetesë të rehatshme në Grac.

Vërejtje: Çmimet në këtë artikull vlejnë për janar 2021 dhe mund të ndryshojnë përgjatë kohës.

Informacion

Fjolla Hasani është studente e masterit në  Universitetin Teknik të Gracit. Studimet baçelor i ka përfunduar në fakultetin Teknik në Universitetin e Prishtinës në fushën e inxhinierisë kompjuterike.  Ka qenë përfituese e bursës “ITalent SouthEast”  nga universiteti Teknik I Gracit dhe shoqata e industrive të Steiermark (IndustrielleVereinigung Steiermark). Me ardhjen në Grac përveç studimeve është angazhuar në Unionin Studentor të Universitetit dhe si student ambasadore për Kosovë. Aktualisht punon për një kompani austriake si inxhiniere e softuerit.

P.s: Shkrimi është botuar në gjuhën angleze për portalin universitar të Gracit tugraz.at dhe në gjuhën shqipe për albinfo.at

 

Kontakti

[email protected]

https://www.facebook.com/fjolla.hasani.5/

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI