Skip to content

Sulmuesi në Krakov mbante jelek antiplumb, në makinën e tij u gjetën armë dhe municion

Policia polake ka zbuluar detaje të reja për sulmin që la gjashtë persona të vrarë dhe disa të plagosur në qendër të Krakovit

Autoritetet polake kanë publikuar detaje të reja lidhur me sulmin me armë zjarri që ndodhi të shtunën, më 7 nëntor, në qytetin e Krakovit, ku gjashtë persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën, përcjell albinfo.ch.

Sipas policisë polake, sulmuesi ishte i veshur me rroba të stilit ushtarak dhe mbante jelek antiplumb. Ai kishte përdorur një armë të gjatë zjarri gjatë sulmit ndaj qytetarëve në sheshin kryesor të qytetit.

Zëdhënësja e policisë së Krakovit, Katarzyna Cisło, ka bërë të ditur se gjatë kontrollit të automjetit të autorit janë gjetur armë të tjera dhe një sasi e konsiderueshme municioni.

Sipas autoriteteve, sulmuesi kishte hyrë me automjet në sheshin kryesor dhe kishte hapur zjarr ndaj kalimtarëve. Ai vazhdoi të qëllonte edhe gjatë përballjes me policinë, ndonëse ishte plagosur nga të shtënat e pjesëtarëve të saj.

Autori i dyshuar, një shtetas polak, u arrestua dhe u dërgua në spital për trajtim mjekësor. Policia ka bërë të ditur se, sipas të dhënave të deritanishme, ai ka vepruar i vetëm.

Ndërkohë, hetimet kanë zbuluar edhe një tjetër ngjarje tragjike. Në banesën e të dyshuarit janë gjetur të vdekur prindërit dhe motra e tij. Autoritetet po hetojnë lidhjen e këtyre vdekjeve me sulmin në Krakov.

Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwiński, ka deklaruar se i dyshuari kishte pikëpamje radikale dhe shfaqte interes për ideologjitë e ekstremit të djathtë. Megjithatë, motivi i saktë i sulmit mbetet objekt hetimi.

Sulmi ka tronditur Poloninë, ndërsa autoritetet kanë shpallur dy ditë zie kombëtare në nderim të viktimave.