Zvicra renditet ndër vendet me mundësitë më të mira për përparim shoqëror, ku njerëzit kanë më shumë gjasa të përmirësojnë pozitën e tyre ekonomike dhe profesionale pa u mbështetur në lidhjet familjare, transmeton albinfo.ch.
Ky është përfundimi i një studimi të ri të realizuar nga Instituti për Politikë Ekonomike Zvicerane (IWP) në Universitetin e Lucernit.
Sipas hulumtimit, edhe pse prejardhja familjare ndikon në të ardhurat, arsimimin dhe karrierën e një personi, kjo ndikim është dukshëm më i vogël në Zvicër krahasuar me shumë vende të tjera.
Studimi thekson se një karrierë e suksesshme në Zvicër nuk lidhet domosdoshmërisht me një diplomë universitare. Punëtorët e kualifikuar, të pajisur me arsim profesional dhe trajnim të vazhdueshëm, shpesh arrijnë të kenë të ardhura më të larta sesa të diplomuarit në universitete.
Sipas autorëve të studimit, sistemi i arsimit profesional dhe mundësitë për kualifikim të mëtejshëm janë ndër faktorët kryesorë që e bëjnë Zvicrën një nga vendet me lëvizshmërinë sociale më të lartë. /Albinfo.ch