Integrimi

Struganja që do të bëhet deputete e Zvicrës

Lurata Reçi është kandidate për deputete në zgjedhjet për Parlamentin Federal në listën e Socialdemokratëve

Lurata Reçi është politikania tjetër shqiptare me prejardhje nga Maqedonia që ia ka mësyrë Parlamentit nacional të Zvicrës në Bernë, duke garuar në zgjedhjet nacionale që do të mbahen në fund të këtij muaji.

34-vjeçarja thotë të ketë qenë mjaft aktive në politikë në rrethinën e Langentalit të kantonit të Bernës, për të zgjeruar aktivitetin politik edhe në nivel nacional të Zvicrës.

Për zonjën Reçi, Zvicra është shtet demokratik, ku duhet të dëgjohet zëri i të gjithëve.

„Në parlament të jepet mundësia dhe fuqia të lëvizësh më shumë dhe të mund të ndryshosh edhe më shumë gjërat. Shpresoj se në një të ardhme të afërt edhe Parlamenti zviceran do të përfaqësohet nga shqiptarët“, ka thënë për albinfo.ch kandidatja me prejardhje nga Maqedonia, Lurata Reçi.

Politikania 34-vjeçare me prejardhje nga Maqedonia, të cilën e ka kandiduar Partia Socialdemokrate në Bernë, konsideron se zgjedhjet e tetorit janë të një rëndësie të veçantë edhe për shqiptarët dhe, tashmë është e domosdoshme që në Parlamentin zviceran të përfaqësohen edhe interesat e emigrantëve nga vetë të zgjedhurit e tyre.

„Për popullin zviceran, por edhe për institucionet do të ishte një sinjal pozitiv“, mendon kandidatja e Partisë Social Demokrate.

Madje, sipas Lurata Reçit, do të ishte edhe më pozitive nëse do të zgjidheshin kandidate femra për të përfaqësuar komunitetin shqiptar në Zvicër.

„Me këtë do të thyheshin të gjitha paragjykimet për shqiptarët, sidomos të SVP-së“, ka deklaruar kandidatja e mundshme për deputete, Lurata Reçi.

„Nëse shqiptarët arrijnë të përfaqësohen politikisht në instanca më të larta të shtetit zviceran, besoj se do ketë në programet për të huajt përdorim më të madh kushtuar atyre dhe, në të njëjtën kohe, do të mbrohen ndaj politikës së SVP-së“, thotë Lurata Reçi.

Ajo ka kërkuar nga elektorati shqiptar me të drejtë vote në Zvicër që të dalë në zgjedhje dhe të votojnë për kandidatët shqiptarë.

„Nëse votojnë shqiptarët në tetor për zgjedhjet federale në Zvicër, atëherë besoj se në përgjithësi votat do t’i shkojnë Partisë Social Demokrate. Shpresoj se asnjë votë e shqiptarëve nuk e mbështet politikën e SVP-së, kurse besoj se disa vota (max. 1%) mund t’i shkojnë partisë FDP“, parasheh rezultatin kandidatja për deputete, Lurata Reçi.

Ndërsa në pyetjen se çfarë oferte ofron subjekti politik me të cilin garon, Lurata përgjigjet duke thënë se nuk ka ofertë më të mirë për të huajt se ai të cilin e ofron Partia Social Demokrate dhe ka kritikuar ofertën politike të SVP-së.

„Nuk e di a mundemi ta quajmë ofertë programin për të huajt të partisë së SVP-së. Mendimi im është që SVP-ja i përdor të huajt në këtë vend për t’i fituar votat, e jo se ka prioritet zgjidhjen e problemeve apo dallimet e të huajve në Zvicër“, thekson politikania shqiptare.

Lurata Reçi është nënë e dy fëmijëve. Shqiptarja nga Struga ka 10 vjet që merret me politikë në komunën e Langenthalit të Kantonit të Bernës. Ka një vit që është në funksionin e këshilltares në Komunën e Langenthalit.

Disa vite ka qenë në kryesi të Second@s Zvicër dhe e ka iniciuar themelimin e second@s në Bernë. Ajo për disa vite është aktive në komisione të ndryshme si edhe në kryesinë e Partisë Social Demokrate të Langenthalit.

Lurata Reçi aktualisht vazhdon studimet në Zürich për ekonomi (HWD).