Koronavirusi: çast pas çasti

Si të ruhet baraspesha psikike në tejkalimin e gjendjes aktuale vetizoluese

Cili është shkaku që gjatë krizës së krijuar nga virusi Korona njerëzit mund të bëhen agresivë dhe si të tejkalohet kjo gjendje

Kriza e krijuar nga virusi Korona, përpos që është shkaktare e një gjendjeje të pasigurisë, mund të shkaktojë edhe një gjendje stresi dhe çrregullime shoqëruese te shumica e personave që paraprakisht kishin probleme të shëndetit mendor, gjë që shpesh mund ta shoqërojë edhe një prishje të gjendjes emocionale, frustrim dhe rënie të tolerancës që i paraprijnë agresiviteti deri në dhunë fizike. Këtë prishje të barazpeshës së shëndetit mendor e shkakton ankthi nga infektimi me virusin Korona,  gjë që te disa nga këta persona të rënduar ndikon negativisht që ata të mos ndihen mirë dhe të dekompensohen shpejt psikikisht. Izolimi në karantinë ndikon gjithashtu në humbjen e autonomisë dhe rutinës ditore, një gjendje të pasigurisë për vetë personin, por edhe për të afërmit e tij, gjë që është gjithashtu një faktor plotësues dhe favorizues që rrit stresin dhe shkakton gjendje ankthi e paniku, prishjen e ekuilibrit të gjendjes emocionale, rënien e tolerancës, gjendje depresive dhe që rrjedhimisht mund të shoqërohet po ashtu me reaksione agresive të shoqëruar me dhunë verbale e fizike.

Nga infektimi me virusin Korona më të atakuarit janë sidomos grupmoshat me rrezikshmëri të lartë, sidomos ata që kanë një imunitet të komprimituar, e këtu hyjnë moshat e shtyra dhe sidomos ata të shoqëruar me sëmundje kronike, siç janë sëmundja e sheqerit, mbipesha, sëmundjet e zemrës dhe të mushkërive, të cilat kanë një prognozë të rëndë që  shoqërohen edhe me vdekje të personave të infektuar, kurse në rastet më të lehta dhe te moshat e reja, por të rënduara me çrregullimet e  mëparshme psikologjike në aspektin e shëndetit mental, që i paraprin një predispozicion gjenetik, stresi posttraumatik, por edhe sëmundjet e tjera të shëndetit mental janë shkaktare të çrregullimeve të gjendjes së ankthit, depresionit dhe rritjes së stresit. Si burim stresi me intensitet të ndryshëm janë kushtet e tanishme të izolimit në hapësirat e vogla e të mbyllura, qoftë në vend pune, në zyrë, në shtëpi apo gjetiu, por duhet të kihet parasysh se këto kushte janë për të gjitha grupmoshat pa dallim gjinie e race dhe të përhapura në tërë botën. Në kushte karantine njerëzit kanë më pak kohë të merren me të tjerët e më shumë me veten, por  kur jemi në shtëpi, qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, nganjëherë nga frustrimi dhe rënia e tolerancës shpesh ndodhin edhe fërkime dhe biseda të pakëndshme, gjë që manifestohen me reaksione agresive që mund të shpiejnë deri te dhuna fizike. Një faktor i rritjes së stresit është edhe gjendja e rënduar sociale dhe financiare për secilin person, pa dallim. Në këtë situatë, një faktor favorizues për ta kaluar këtë gjendje është pa dyshim mendimi pozitiv dhe optimizmi për kalimin sa më të shpejtë të krizës të shkaktuar nga virusi Korona, duke qëndruar në shtëpi për ta ruajtur veten dhe të tjerët, sepse në të kundërtën nga mosrespekimi i masave dhe udhëzimeve nga kompetentët shëndetësorë për luftimin e kësaj pandemie rrezikojmë veten dhe të tjerët.

Si opsion terapeutik është dekatastrofizimi i gjendjes eksistuese dhe mënjanimi i mendimeve destruktive, duke e gjykuar situatën mirë e drejt, mundësisht duke u distancuar nga mendimet fiksuese dhe duke e mënjanuar ndjenjën e fajit, e favorizimin e situatës ngushëlluese për faktin se në këtë situatë të gjithë janë të barabartë e të njëjtë dhe secili mund të atakohet pavarësisht statusit të tij social, gjinor e racor,  po qe se nuk i respekton rregullat e parapara preventive. Sepse, sa më të kujdesshëm që jemi dhe sa maë të vetëdijshëm për rrezikun nga kjo situatë  që kemi, aq më lehtë dhe pa pasoja do ta kalojmë. Një faktor favorizues i rëndësishëm për rregullimin e gjendjes emocionale  është po ashtu posedimi i një strukture fikse ditore, duke respektuar kohën e rregullt të gjumit dhe të ushqimit dhe sipas mundësive, lëvizje sa më të shpeshta, p.sh. ushtrime trupore relaksuese, sipas autorit Jakobson, sepse ushtrimet dhe stërvitja gjithashtu ndihmojnë në uljen e agresivitetit. Shkëmbimi i mendimeve në mes të anëtarëve të familjes gjithashtu mund t’ju ndihmojë në largimin e ndjenjave tuaja negative. Nëse ju mungon dikush që e adhuroni dhe që dita pa atë person me vështirësi kalon, atëherë mund ta kontaktoni atë në kushtet e karantinës vetëm përmes kontakteve virtuale  online, qoftë me telefon, videokontakte në internet etj. Edhe ritualet fetare në këtë kohë janë të rëndësishme, si pjesë e strukturës së rregullt ditore. Gjatë kësaj kohe ia vlen të lexoni dikça të rëndësishme, të shkruani një ditar ditor apo edhe të shkruani një ngjarje jetësore të kaluar. Të gjitha këto veprime e metoda janë një ndihmesë e mirë për të reflektuar pozitivisht në përmirësimin e  gjendjes emocionale tuajën dhe një mundësi e mirë që ta përballoni sa më me sukses këtë gjendje pandemie, duke i respektuar në përpikmëri tri rregullat të arta preventive: rri në shtëpi, mbaje distancën dhe mbaje higjienen.

Të gjithë njerëzit nuk e përballojnë njësoj izolimin, për këtë arsye ndër prediktorët e rëndësishëm është edhe mënyra se si ata e vlerësojnë situatën, pastaj gjendja shëndetësore e tyre e mëparshme dhe e tanishme. Por, është e kuptueshme se qëndrimi në karantinë për personat që kanë probleme psikike përballohet më me vështirësi, nga vetë çrregullimet e mëparshme të shëndetit mendor që kishin, sepse ata tashmë i janë adaptuar një plani dhe strukture të rregullt ditore që kishin, dhe se ata janë më të ndjeshëm ndaj kushteve dhe situatave të reja, sepse te disa mungojnë ose janë dobësuar mekanizmat adaptues dhe që çdo shmangie nga kjo kornizë shkakton gjendje paniku e stresi dhe, si rrjedhojë keqësim të gjendjes së mëparshme, kështu që madje edhe një zënkë e lehtë është e mjaftueshme që një person të mund ta çojë në një gjendje agresive eventuale.

Si të dilet nga kjo situatë e rënduar?

Domosdoshmërisht duhet të kërkohet ndihmë, mundësisht profesionale. Në Perëndim ka shumë qendra këshillimoresh që ofrojnë mbështetje me biseda virtuale, qoftë me videokonferencat live ose  biseda telefonike që mund të organizohen nga mjeku juaj, me qëllim që të keni një qasje më të mirë për të përballuar panikun dhe stresin, për të rritur tolerancën ndaj dukurive që e kanë shkaktuar atë, të mënjanohen frustrimet eventuale, ashtu që të gjendet një qasje optimale për kalimin e situatës së krijuar kur kihet parasysh se një situatë e tillë nuk do të zgjatë pafundësisht. Ndonjëherë mjafton një telefonatë me një anëtar të familjes që nuk e keni afër dhe mundësitë për ta takuar atë nuk ekzistojnë, pastaj një kontakt virtual me një të afërm, një shok  apo një mik etj. Prindërit që janë të tensionuar për shkak të përcjelljes së mësimit të fëmijëve të tyre nga shtëpia “Homeschoolings” ose kryerja e punëve e fëmijëve tuaj nga shtëpia  “Homeoffices” në situata fërkimesh, zhgënjimesh e zemërimesh, gjë që është edhe e pritshme, duhet të kërkojnë këshilla nga mësimdhënësit ose punëdhënësit e tyre. Nëse kjo nuk është e mjaftueshme, duhet të përfshihet një punonjës social i shkollës, ose edhe mjeku familjar në rastet kur personi i stresuar deri tani nuk ka qenë në trajtim ambulantor psikiatrik ose psikologjik.

 

Dr. Shemsi Bakiu

Psikiatër dhe psikoterapeut

(Opinioni është shkruar ekskluzivisht për albinfo.ch