Lajme
Shtetasit e huaj në Zvicër paguajnë qira më të larta
Shifrat e reja tregojnë një prirje shqetësuese të strehimit: shumë pronarë zviceranë kërkojnë nga qiramarrësit me sfond imigrimi të paguajnë më shumë për strehimin e tyre
Një studim i ri kombëtar ka treguar se një çift joemigrant pa fëmijë paguan mesatarisht 1550 franga qira për një banesë 100 metra katrorë jashtë qyteteve famëkeqe me qira, si Gjeneva dhe Cyrihu.
Nga ana tjetër, qiramarrësit e huaj paguajnë mesatarisht 190 franga më shumë në muaj për një apartament me të njëjtën madhësi, shkruan The Local, përcjell albinfo.ch.
Kjo pabarazi është edhe më e padrejtë, sepse tek të huajt ka më shumë të varfër sesa te zviceranët, theksoi deputeti Mustafa Atici: 13.6 për qind për grupin e parë, krahasuar me 6.8 për qind për të dytin.
Por, kjo nuk është e gjitha: të huajt jo vetëm që paguajnë më shumë për metër katror të hapësirës së jetesës, por ata gjithashtu jetojnë në shtëpi më të vogla: banesat e tyre kanë mesatarisht tetë metra katror më pak sipërfaqe se apartamentet ku jetojnë zviceranët, përcjell tutje albinfo.ch.
Për t’iu kundërvënë kësaj situate, Atici i bën thirrje Këshillit Federal që t’ua lehtësojë qiramarrësve marrjen e masave ligjore kundër diskriminimit në tregun e banesave.
Një tjetër deputet, Carlo Sommaruga, kishte paraqitur tashmë një mocion të ngjashëm. Ky nuk është një fenomen i ri, pasi një studim i publikuar disa vite më parë tregoi se emigrantët kishin më shumë vështirësi për të siguruar strehim në përgjithësi.
Studimi, i kryer së bashku nga disa universitete frëngjishtfolëse, tregon në veçanti se njerëzit me emër turk ose kosovar duhej të bënin mesatarisht 30 për qind më shumë përpjekje se pjesa tjetër e popullsisë për të gjetur apartamente, përcjell tutje albinfo.ch.
Studimet e mëparshme kanë treguar se një origjinë e huaj ose një emër me tingull të huaj mund të ndezë praktika diskriminuese edhe në fusha të tjera.
Për shembull, primet e sigurimit të makinës shpesh varen nga vendi i origjinës.
Kompanitë e sigurimeve e justifikojnë këtë sistem duke theksuar se ai bazohet në statistika: në përcaktimin e primeve marrin parasysh kritere si mosha, të dhënat e drejtimit, lloji i makinës dhe, po, edhe kombësia, përcjell tutje albinfo.ch.
Të gjithë këta faktorë ndikojnë në probabilitetin e një aksidenti dhe të dhënat tregojnë se disa të huaj janë të përfshirë në më shumë aksidente se të tjerët. “Nëse statistikat tregojnë se njerëzit që kanë një shtetësi të caktuar priren të bëjnë më shumë pretendime ose të përfshihen në më shumë incidente sesa njerëzit e kombësive të tjera, ato statistika mund të ndikojnë në primet e ngarkuara,” sipas platformës së krahasimit të çmimeve Moneyland.
Dhe ka edhe më shumë: paragjykimi i emrit të huaj derdhet gjithashtu në tregun e punës. Një analizë nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës Zvicerane tregoi se, mesatarisht, të huajt kishin 6.5 për qind më pak gjasa se shtetasit zviceranë për t’u kontaktuar nga rekrutuesit për një intervistë. “Ky diskriminim ishte veçanërisht i theksuar midis emigrantëve nga Ballkani, Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia, të cilët shpesh duhet të luftojnë paragjykimet”, tha Daniel Kopp, një ekonomist në Institutin Zviceran për Kërkimin e Ciklit të Biznesit.
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Sot fillon në Cyrih Festivali i Filmit “Kino Kosova” Platforma albinfo.ch është partnere mediale e festivalit dhe ajo do të ju mbajë të informuar mbi...
-
Vjenë
Vjenë: Kori Siparantum, edhe me një paraqitje në skenën prestigjioze
-
“Deputetët nga këto shtete janë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE”
-
Gjenevë
Gjenevë: Ramë Dardania sjell ekspozitë më 14 qershor
-
Mentor Latifi është emëruar ambasador i ri i Kosovës në Zvicër
Jeta në Austri
-
Vjenë
Vjenë: Kori Siparantum, edhe me një paraqitje në skenën prestigjioze Bëhet e ditur se kori Siparantum është shndërruar një prej përfaqësimeve më dinjitoze të Kosovës, përcjell...
-
Kandidatja për eurodeputete, Kati Schneeberger, hap në Vjenë ekspozitën “Rezistenca paqësore në Kosovë 1990-1998
-
A do të zhvendoset nga burgu austriaku Fritzl që u dënua me burgim të përjetshëm për dhunimin e të bijës?
-
Austri: Përmbledhje e lajmeve të fundit të ditës së sotme
-
Gjithçka që ndryshon në Austri nga muaji maj