Një person ka mbetur i lënduar rëndë, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime të lehta si pasojë e një detonimi që ndodhi në një veturë në Gjilan, transmeton albinfo.ch.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, rasti është regjistruar mbrëmjen e 5 gushtit 2026, rreth orës 21:45, në rrugën “Lufta e Gjilanit 44”.
“Sot rreth orës 21:45 kemi pranuar një informatë përmes telefonit se në rrugën ‘Lufta e Gjilanit 44’ në Gjilan ka ndodhur një detonim në një veturë”, ka deklaruar Hashani.
Ai bëri të ditur se patrullat policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku hetimet fillestare tregojnë se vetura dyshohet të jetë dëmtuar nga një mjet shpërthyes.
Në automjet ndodheshin dy persona – vozitësi dhe një pasagjere. Si pasojë e shpërthimit, vozitësi ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor në spital, ndërsa pasagjerja ka marrë lëndime të lehta.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Kosovës, së bashku me prokurorin kujdestar, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Sipas Policisë, motivet e këtij incidenti të rëndë ende nuk janë të njohura, ndërsa hetimet janë në zhvillim./Albinfo.ch