Kosova
Shfaqja nga Kosova “Të negociosh paqen” do të prezentohet në Hamburg të Gjermanisë
Shfaqja e Qendrës Multimedia “Të negociosh paqen” (Negotiating Peace), në të cilën luajnë edhe aktorë të mirënjohur nga Kosova e Shqipëria, do të prezentohet më 20 dhe 21 prill në Hamburg të Gjermanisë, në teatrin Kampnagel, si pjesëmarrëse e festivalit të madh ndërkombëtar KRASS Festival. Kjo është hera e dytë që Qendra Multimedia prezentohet në këtë festival, shkruan albinfo.ch.
Në rolin kryesor të shfaqjes “Të negociosh paqen”, regjinë e së cilës e ka bërë Blerta Neziraj, luan aktori i mirënjohur nga Kosova, Shkumbin Istrefi. Në shfaqje luajnë edhe doajenja e skenës teatrore kosovare, Melihate Qena, si dhe aktorja e njohur shqiptare, Ema Andrea. Pjesë e trupës së shfaqjes janë edhe aktorë nga Ukraina, Bosnjë e Hercegovina, Estonia e Norvegjia.
Drama, e shkruar nga Jeton Neziraj, merr shkas negociatat e paqes, duke përfshirë Marrëveshjen e Dejtonit, marrëveshjet në Irlandën Veriore dhe ato të Lindjes së Mesme, si dhe bisedimet politike — ende pa shumë rezultat — ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Të negociosh paqen” është frymëzuar nga libri i Richard Holbrooke “To End a War” [T’i japësh fund një lufte] dhe nga “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Kadaresë. Shfaqja tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikat dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes si dhe diskuton tema të rëndësishme: Kush mund të negociojë paqen? A u takon politikanëve legjitimiteti për të bërë një gjë të tillë? A pajtohen vërtet njerëzit e zakonshëm pas nënshkrimit të ‘aktit të paqes’ në emrin e tyre? A mund të ketë falje kolektive, apo falja është akt individual?
Në një fjalë për shfaqjen, regjisorja Blerta Neziraj ka thënë: “Gjëja kryesore në të cilën përqendrohemi në këtë shfaqje është: Nëse lufta i ka demonët e vet që i çojnë njerëzit drejt shkatërrimit e mjerimit, çfarë ka paqja? Cili është antipodi i demonëve të luftës?! A janë emisarët e paqes udhëheqësit politikë që marrin guximin të nënshkruajnë marrëveshjet e paqes? Apo njerëzit e zakontë, të mbijetuarit, të cilët e kanë paguar çmimin më të madh në luftë”.
Kjo shfaqje është prodhuar nga Qendra Multimedia, në bashkëpunim me Teatrin e Pergolas (Itali); Festivalin euro-scene Leipzig (Gjermani); Teatrot e Qytetit Pragë (Çeki); R.A.A.A.M (Estoni); Mittelfest (Itali); Kontakt (Bosnjë dhe Hercegovinë); Black Box Teater (Norvegji) dhe My Balkans (SHBA/Serbi).
Shfaqja në Hamburg mundësohet edhe me mbështetjen e shoqatës kulturore nga Hamburgu, ‘ODA e.V. Hamburg’.
Fotografitë: Atdhe Mulla
Më shumë rreth shfaqjes mund të gjeni në web faqen e Qendrës Multimedia
E-Diaspora
-
Floriani 10 vjeçar bën selfie me Xhakën, i kushtoi babait të tij 2600 franga. Floriani i vogël (10) është një tifoz i madh i Granit Xhakës: Nëntorin e kaluar, ai...
-
Detaje nga rasti kur një shtetas nga Kosova vrau pronarin e biznesit në Dyseldorf
-
Arnold “The Cobra” Gjergjaj triumfon në luftën e fundit
-
Nju-Jork: Baleti Kombëtar i Kosovës me dy shfaqje
-
Belgjikë: Kori “Siparantum” do të dhuroj paraqitje dinjitoze
Jeta në Austri
-
Austri: Përmbledhje e lajmeve të fundit të ditës së sotme Innsbruck me kryebashkiak të ri, SPÖ e qendrës së majtë zbulon planin për të financuar propozimin...
-
Gjithçka që ndryshon në Austri nga muaji maj
-
Katër liqene të bukura, tek të cilat mund të shkoni lehtësisht nga Vjena me transport publik
-
Sa vite duhet të punoni në Austri që të keni të drejtën e pensionit?
-
Austrian Airlines arrin marrëveshje pagash me punëtorët për të shmangur grevat e reja