Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë të premten, më 11 shtator, në orën 11:00, pasi deputetët nuk arritën marrëveshje për përfundimin e pikës së rendit të ditës për zgjedhjen e nënkryetarëve, përcjell albinfo.ch.
Gjatë seancës së sotme, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës. Ajo mori 62 vota për, 16 kundër dhe 13 abstenime.
Pas zgjedhjes së kryetares, Kuvendi kaloi në pikën për zgjedhjen e nënkryetarëve. Megjithatë, procedura u shoqërua me përplasje lidhur me mënyrën e propozimit të njërit prej kandidatëve.
Propozimi nga radhët e Listës Serbe, i paraqitur nga deputeti Igor Simiq, u kundërshtua në sallë dhe u cilësua si antikushtetues.
Pas një pauze prej një ore, deputetët nuk arritën të gjenin një ujdi për mënyrën e vazhdimit të procesit të zgjedhjes së nënkryetarëve.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vendosi më pas ta ndërpresë seancën, pasi Simiq nuk e tërhoqi fjalimin e tij, i cili ishte kundërshtuar si antikushtetues.
Haxhiu bëri të ditur gjithashtu se nuk kishte pajtim ndërmjet LVV-së, PDK-së dhe LDK-së lidhur me mënyrën e votimit të nënkryetarëve.
Seanca konstituive do të vazhdojë të premten, më 11 shtator, në orën 11:00, me pikën e mbetur të rendit të ditës./Albinfo.ch