Skip to content

Reuters: Parlamenti i Kosovës zgjedh presidenten e re, duke shmangur zgjedhjet e parakohshme

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Justina Shiroka-Pulën presidente të Republikës, duke shmangur mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare pas dështimit për zgjedhjen e presidentit.

Parlamenti i Kosovës e ka zgjedhur ekonomisten dhe akademiken Justina Shiroka-Pula presidente të vendit, në minutat e para të së mërkurës, pak para përfundimit të afatit kushtetues, raporton Reuters, përcjell albinfo.ch.

Shiroka-Pula mori 81 vota nga 120 deputetët e Kuvendit, një votë më shumë se minimumi i kërkuar për zgjedhjen e presidentes.

Sipas Reuters, moszgjedhja e presidentit do ta çonte Kosovën drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në një situatë të ngjashme me atë të krijuar më herët këtë vit.

Pas zgjedhjes, Shiroka-Pula tha se mandati i saj nuk i përket vetëm një individi, por të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi. Ai u përket qytetarëve tanë. Unë do të jem presidentja e të gjithë qytetarëve”, tha ajo.

Zgjedhja e saj erdhi pas një marrëveshjeje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, dhe Partisë Demokratike të Kosovës, lidhur me ndryshimet në legjislacionin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Ndryshimet në këtë legjislacion kanë qenë në qendër të protestave të ditëve të fundit në Prishtinë. Të hënën, Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit që kërkonin miratimin e ndryshimeve.

Kritikët e procesit gjyqësor në Hagë kanë argumentuar se dënimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë tepër të ashpra.

Reuters rikujton se më 16 shtator, Gjykata Speciale dënoi ish-presidentin Hashim Thaçi dhe tre ish-krerë të tjerë të UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.

Posti i presidentit në Kosovë ka kryesisht karakter ceremonial, por zgjedhja e kreut të shtetit ka qenë shpesh burim i krizave politike. Për zgjedhjen e presidentit kërkohet një shumicë prej dy të tretash në Kuvend, çka i ka detyruar partitë politike të arrijnë marrëveshje për kandidatin.

Justina Shiroka-Pula, e lindur në vitin 1953, është profesoreshë e ekonomisë dhe anëtare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ajo ka shërbyer gjithashtu si ministre e Energjisë dhe Minierave në periudhën 2008–2011./Albinfo.ch