Lajme

Resort luksoz dhe banja termale, investim 200 milionë frangash në Alpet zvicerane

Një mega-investim turistik do ta transformojë San Bernardinon në Zvicër

Investitori nga Ticino, Stefano Artioli, planifikon ndërtimin e një resorti luksoz me banja termale dhe hotel me pesë yje, projekt që pritet të krijojë rreth 300 vende të reja pune, përjell albinfo.ch.

Një nga projektet më të mëdha turistike të viteve të fundit në Zvicër po merr formë në San Bernardino, në kantonin Graubünden. Investitori nga Ticino, Stefano Artioli, ka njoftuar një investim prej 200 milionë frangash, me synimin që kjo zonë alpine të shndërrohet në një destinacion turistik tërheqës gjatë gjithë vitit.

Pjesa qendrore e projektit do të jetë resorti luksoz termal “Acuforta”, i cili do të përfshijë një qendër moderne wellness prej mbi 2.000 metrash katrorë. Kompleksi do të ketë banja minerale, pishina të brendshme dhe të jashtme, ambiente relaksi dhe shërbime të ndryshme për shëndetin dhe mirëqenien.

Në kuadër të investimit do të ndërtohet gjithashtu një hotel me pesë yje, i cili do të menaxhohet nga një operator ndërkombëtar, si dhe apartamente turistike me shërbime hotelerie dhe një parking i ri.

Artioli ka investuar tashmë rreth 100 milionë franga në modernizimin e teleferikëve dhe zhvillimin e ofertës turistike në San Bernardino. Me projektin e ri ai synon ta kthejë këtë zonë në një destinacion konkurrues përgjatë korridorit turistik mes Cyrihut dhe Milanos.

Një element i veçantë i resortit do të jetë shfrytëzimi i ujit mineral natyror të San Bernardinos, i njohur prej shekujsh për vetitë e tij kuruese. Burimi, i cili ishte i njohur që në kohën e romakëve, do të restaurohet dhe do të shndërrohet në një muze kushtuar historisë së ujit mineral.

Projekti pritet të ketë ndikim të madh edhe në ekonominë lokale. Sipas përfaqësuesve të projektit, pas përfundimit të të gjitha fazave do të krijohen rreth 300 vende të reja pune, si sezonale ashtu edhe të përhershme, duke i dhënë një shtysë të rëndësishme zhvillimit të rajonit të Misoxit.

Ky investim vjen në një kohë kur edhe destinacione të tjera turistike zvicerane po investojnë fuqishëm në turizmin wellness, duke rritur konkurrencën për të tërhequr vizitorë me fuqi të lartë blerëse. /Albinfo.ch