Skip to content

Rama të hënën për vizitë zyrtare në Vjenë, shqiptarët në Austri paralajmërojnë protestë

Sipas njoftimit të organizatorëve, protesta është planifikuar të mbahet të hënën, më 19 tetor, duke filluar nga ora 10:30, në adresën Löwelstraße 6 / Ballhausplatz, pranë Kancelarisë Federale të Austrisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë të hënën, më 19 tetor 2026, një vizitë zyrtare në Austri, ku do të pritet nga kancelari federal Christian Stocker.

Në të njëjtën ditë, në Vjenë është paralajmëruar edhe një protestë kundër kreut të qeverisë shqiptare, shkruan albinfo.at.

Sipas njoftimit të Kancelarisë Federale të Austrisë, Rama do të pritet me nderime ushtarake në Ballhausplatz, në një ceremoni zyrtare të planifikuar të fillojë në orën 12:00.

Ndërkohë, përmes një thirrjeje të shpërndarë në rrjetet sociale, shqiptarët që jetojnë në Austri janë ftuar të marrin pjesë në një protestë kundër kryeministrit shqiptar, me rastin e vizitës së tij në Vjenë.

“NESËR NË MËNGJES, TË GJITHË BASHKË NË VJENË!”, thuhet në fillim të thirrjes publike, e cila u drejtohet shqiptarëve që jetojnë në kryeqytetin austriak dhe në qytete të tjera.

Sipas njoftimit të organizatorëve, protesta është planifikuar të mbahet të hënën, më 19 tetor, duke filluar nga ora 10:30, në adresën Löwelstraße 6 / Ballhausplatz, pranë Kancelarisë Federale të Austrisë.

“Ju ftojmë të bashkohemi në një protestë kundër Edi Ramës, me rastin e vizitës së tij në Kancelarinë Federale të Austrisë”, thuhet në thirrjen e publikuar në rrjetet sociale.