Kosova

Pse diaspora shihet si vegël e partive në Kosovë

PËRVEÇ ROLITTË RËNDËSISHËM EKONOMIK QË LUAN DIASPORA ME REMITENCAT E DËRGUARA, SHPESHHERË BËHET EDHE TOP-TEMË E DEBATIT NË RRAFSHIN POLITIK.

Partitë politike të Kosovës, me mjeshtëri mundohen të arrijnë qëllimet e tyre, duke e vënë në fokus diasporën, e që kjo e fundit, në fakt është shtylla më e pastër ekonomike që i dhuron shumë  Kosovës, pa asnjë kompensim, apo interes kthimi, shkruan albinfo.ch.

Por pse vetëm në kohë të caktuara bëhet e rëndësishme diaspora për partitë politike të Kosovës dhe më pas mbetet nën hijen e të ardhurave të tyre.

Deri më tani, në institucionet e Kosovës, ka munguar vullneti politik për të integruar diasporën në politikëbërjen ditore dhe shtetërore të Kosovës.

Pavarësisht që mërgimtarët tanë po shquhen me shkollimin e  tyre në universitet më të njohura të botës, për aftësitë, etikën  dhe profesionalizmin në gjitha fushat, përfshirë edhe politikën, për çudi, partitë politike të Kosovës vetëm në prag të zgjedhjeve vinë me premtime të ndryshme për diasporën, për lehtësimet e procedurave të hyrjes, për një Ministri dhe ministër të Diasporës, e që këto të gjitha, me kalimin e kohës mbesin nën hije, për të gjitha partitë politike, pa dallim.

Në fakt, edhe pa premtime të tilla, Diaspora është ambasadori më i mirë i mundshëm, për imazhin e Kosovës, që e ka ndihmuar në vazhdimësi, në të gjitha aspektet, duke luajtur rol shumë aktiv edhe në jetën politike dhe atë ekonomike në vendin e tyre të origjinës, por edhe në vendet ku ata banojnë.

Një dukuri që ne shohim në prag të zgjedhjeve është edhe thirrja nga partitë politike për anëtarësimin e mërgimtarëve, për të kandiduar për deputet në radhët e saj, kjo sepse do të sjell disa vota nga mërgimi dhe jo inkuadrimi direkt i tyre në vendimmarrjen politike, shkruan tutje albinfo.ch.

Mërgimtari shqiptar, lobisti Binak Sylaj, i lindur në Deçan, me një veprimtari të pasur në Zvicër, tregon për albinfo.ch se para një kohë (në prag të zgjedhjeve) ka marrë dy oferta të ndryshme, nga dy parti të Kosovës, për t’u bërë pjesë e tyre dhe kandidat për deputet, në zgjedhjet e vitit 2021.

Në një përgjigje të tij publike, shprehet se si është e mundur, se ne (diaspora) qenkemi kaq të dobishëm vetëm atëherë kur ju duhen votat, në kohën e zgjedhjeve?!

“Me gjithë respektin që kam për këta njerëz, më duhet të them se kontributi ynë për Kosovën ishte dhe do të jetë gjithmonë prezent. Vlerësoj shumë njerëzit, të cilët na njohin kontributin dhe përkushtimin tonë në çdo kohë. Jo, vetëm në kohën e zgjedhjeve. Ne mund të kontribuojmë për vendin kurdoherë. Si është e mundur, që ne qenkemi të dobishëm vetëm atëherë kur ju duhet vota? E bukura e gjithë kësaj është se unë do të jap gjithmonë atë që mundem për Kosovën, pavarësisht a vlerësohet apo jo dhe pa qenë domosdoshmërisht në ndonjë subjekt politik”.

Vitet e fundit, diaspora ka pasur rol të rëndësishëm me votat e saj në vendlindje dhe ishte përcaktuese e rezultatit në zgjedhjet qendrore të vitit 2019, ku dallimi ndërmjet fitueses së zgjedhjeve në atë kohë, Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që doli e dyta ishte vetëm 14,485 vota. Dhe, numri më i madh i votave të diasporës në këto zgjedhje ishin për Vetëvendosjen, duke e renditur si partinë e parë.

Njëjtë edhe në vitin 2021, në zgjedhjet qendrore të Kosovës, diaspora ishte shumë aktive në votimet e tyre, duke qenë shpesh përcaktuese finale e zgjedhjeve.

Prandaj, përfshirja e diasporës në përfaqësimin politik të jashtëm të Kosovës është e rëndësishme për përmirësimin e imazhit të Kosovës jashtë vendit, i cili është në pozicion jo të mirë ndërkombëtar dhe nuk është sa duhet në vëmendjen e partnerëve të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Por, e gjithë thirrja politike e partive kosovare për diasporën, vetëm në kohë zgjedhjesh, është e pavend, sepse lë përshtypjen e përdorimit të saj si burim votash për qëllimet e tyre politike.

Artikull nga Revista – Albinfo.ch