Lajme

Protesta “Jo në emrin tim” sot në Berlin dhe Prishtinë

Përveç në Prishtinë, protesta me moton “Jo në emrin tim” do të zhvillohet sot, më 4 tetor, në Berlin, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas njoftimit të organizatorëve, protesta organizohet me fillim në orën 12:00, para ndërtesës së Parlamentit gjerman, te Reichstagsgebäude, në adresën Platz der Republik 1, protestë e ngjashme si ajo e organizuar dje nga diaspora shqiptare në Munih të Gjermanisë, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, sot në Prishtinë vazhdon protesta e 19-të me të njëjtën moto dhe do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 19:00.

Ndryshe, përveç kundërshtimit të aktgjykimit të Gjykatës Speciale, protestuesit në Prishtinë kërkojnë edhe miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës nga Kuvendi i Kosovës.