Lajme

Pas marrëveshjes me Iranin bien çmimet e naftës në Zvicër

Lajm i mirë për qytetarët në Zvicër, bien çmimet e benzinës dhe naftës

Marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për rihapjen e ngushticës së Hormuzit për transportin detar ka sjellë lehtësim në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke ndikuar edhe në uljen e çmimeve të karburanteve dhe mazutit në Zvicër, përcjell albinfo.ch.

Efekti më i madh është vërejtur te mazuti për ngrohje. Në fillim të vitit, 100 litra kushtonin pak më shumë se 90 franga, por pas tensioneve në Lindjen e Mesme dhe konfliktit me Iranin, çmimi u rrit mbi 160 franga për 100 litra. Pas arritjes së marrëveshjes, ai ka rënë në rreth 110 franga për 100 litra, ose afro 30 për qind më pak se niveli maksimal i regjistruar.

Sipas tregtarëve, rritja e çmimeve bëri që shumë familje të shtynin blerjen e mazutit. Kompania Heizoel24 njoftoi se porositë gjatë muajve prill dhe maj ranë me rreth 80 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pasi konsumatorët prisnin uljen e çmimeve.

Tashmë, me rënien e çmimeve, kërkesa ka nisur të rritet. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse shumë familje porosisin njëkohësisht, mund të krijohen vonesa në furnizim për shkak të kapaciteteve të kufizuara të shpërndarjes.

Edhe çmimi i benzinës ka shënuar ulje. Pas rritjes së përkohshme gjatë krizës në Lindjen e Mesme, një litër benzinë pa plumb 95 kushton mesatarisht 1.82 franga, rreth 6 për qind më pak se niveli maksimal i muajit maj.

Sipas ekspertëve të TCS, rihapja e ngushticës së Hormuzit ka ulur presionin në tregjet e naftës dhe pritet që edhe pika të tjera të karburanteve në Zvicër të reflektojnë ulje të mëtejshme të çmimeve në ditët në vijim. Megjithatë, benzina mbetet ende rreth 10 për qind më e shtrenjtë se në fillim të këtij viti. /Albinfo.ch