Sipas një raportimi të World Radio Switzerland, të publikuar më 20 tetor 2026, Klubi Turistik i Zvicrës (TCS) u ka bërë thirrje shoferëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë zgjedhjes së gomave për sezonin e ftohtë, veçanërisht për shkak të përdorimit gjithnjë e më të madh të gomave për të gjitha stinët.
TCS thekson se këto goma mund të jenë të përshtatshme për drejtuesit që qarkullojnë kryesisht në zona urbane dhe përshkojnë distanca të shkurtra. Megjithatë, ato duhet të kenë simbolin e fjollës së borës, i cili dëshmon se janë testuar për përdorim në kushte dimërore, transmeton albinfo.ch.
Për shoferët që jetojnë në zona malore, në lartësi ku ka reshje të shpeshta bore, ose që udhëtojnë drejt vendpushimeve alpine, rekomandohet përdorimi i gomave të mirëfillta dimërore.
Gomat e dimrit nuk janë të detyrueshme, por përgjegjësia mbetet te shoferi
Ndryshe nga disa vende të tjera evropiane, Zvicra nuk ka një detyrim të përgjithshëm ligjor për përdorimin e gomave të dimrit.
Megjithatë, legjislacioni zviceran kërkon që çdo automjet të jetë teknikisht i përshtatshëm për kushtet e rrugës.
Kjo do të thotë se një shofer që shkakton aksident ose pengon qarkullimin për shkak të gomave të papërshtatshme mund të konsiderohet përgjegjës për pasojat.
Kompanitë e sigurimeve gjithashtu mund të zvogëlojnë kompensimin e dëmeve nëse konstatohet se automjeti nuk ka qenë i pajisur siç duhet për kushtet atmosferike.
TCS këshillon ndërrimin e gomave që në tetor
Ekspertët rekomandojnë që shoferët të mos presin reshjet e para të borës për të vendosur gomat e dimrit.
Sipas TCS, tetori është periudhë e përshtatshme për ndërrimin e tyre, ndërsa thellësia e profilit të gomave duhet të jetë së paku 4 milimetra për përdorim të sigurt në kushte dimërore.
Edhe pse kufiri minimal ligjor i profilit është 1.6 milimetra, një thellësi më e madhe rekomandohet për të siguruar kapje më të mirë në rrugët me borë dhe akull.
Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i gomave verore në rrugë të mbuluara me borë mund ta dyfishojë pothuajse distancën e frenimit, duke rritur ndjeshëm rrezikun e aksidenteve.
Për këtë arsye, shoferëve në Zvicër u rekomandohet të kontrollojnë gjendjen e gomave dhe të përgatisin automjetet për sezonin dimëror, jo vetëm për të shmangur përgjegjësitë financiare, por mbi të gjitha për të garantuar sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.