Panairi SheLeads 2026 bashkoi gra të suksesshme sipërmarrëse dhe themeluese nga industri të ndryshme, duke filluar nga teknologjia dhe inteligjenca artificiale, te financat, shëndetësia, pasuritë e paluajtshme, argëtimi, hoteleria, edukimi, konsulenca dhe marketingu.
Në kuadër të SheLeads u mbajt edhe një panel diskutimi i moderuar nga Pritë Bytyçi, ku u trajtua tema e grave në biznes dhe lidership, sfidat, mundësitë dhe përvojat e tyre në ndërtimin e karrierës dhe sipërmarrjes.
Të ftuara në panel ishin:
Dr. Fatime Imeri Berisha, doktoreshë dhe drejtoreshë ekzekutive e Walk-in Labor në Cyrih dhe Bazel, si dhe bashkëpronare e disa klinikave. Ajo është gjithashtu kryetare e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare.
Dr. Besiana Zeqiri Krasniqi, specialiste e kirurgjisë maksilofaciale, e diplomuar dhe specializuar në Universitetin e Prishtinës. Ajo drejton klinikën Vivien Dental Clinic & Aesthetic me përkushtim dhe profesionalizëm.
Lurata Reci, sipërmarrëse dhe eksperte strategjie me përvojë shumëvjeçare në lidership, zhvillim organizativ dhe transformim biznesi. Ajo mbështet kompani në fushat e strategjisë, inovacionit dhe teknologjive të së ardhmes, përfshirë inteligjencën artificiale.
Njëkohësisht, është themeluese dhe Presidente e Organizatës së Grave Shqiptare në Zvicër (ODGSH), ku angazhohet për fuqizimin e grave, promovimin e lidershipit dhe ndërtimin e bashkëpunimeve brenda komunitetit shqiptar dhe më gjerë.
Mergime Raci, drejtoreshë e platformës, produkteve dixhitale dhe teknologjisë në smzh ag, ku udhëheq një ekip prej rreth 30 profesionistësh në dizajn, inxhinieri, CRM dhe menaxhim produktesh. Ajo drejton transformimin dixhital dhe zhvillimin e produkteve inovative për klientët dhe këshilltarët.