Kosova
Opozita i reagon Kurtit për paraqitje në seancën ndaj Klinakut, përgjigjet Kryeziu
Partitë që deri në zgjedhjet e fundit ishin në opozitë i kanë reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pasi u paraqit në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin në të cilin ish-udhëheqësi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, akuzohet për kanosje ndaj Kurtit.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ia ka kujtuar Kurtit refuzimin për të dëshmuar në Prokurori lidhur me dyshimet për korrupsion me rezervat shtetërore.
“Pra, A.K. shkon në gjykatë për të dëshmuar kundër Klinakut, ‘krimi’ i të cilit ishte një status në Facebook. Por, kur bëhet fjalë për aferat milionëshe të vartësve të tij, refuzon t’i përgjigjet prokurorisë. Kush ka sy me pa dhe vesh me dëgju, e kupton se situata është më se e qartë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Ka reaguar edhe deputeti tjetër i PDK-së, Artan Behrami.
“Kundër njerëzve të UÇK-së, Albin Kurti gjithmonë është i gatshëm të dëshmojë në gjykatë! Për afera korruptive, për të amnistuar krimet ekonomike, nuk i përgjigjet drejtësisë!” ka shkruar ai.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Kurti “nuk është kryeministri që i duhet Kosovës”.
“Zyrën e Kryeministrit e mban në mënyrë joligjore. Për këtë ekziston aktgjykimi i organit më të lartë të drejtësisë – Gjykatës Supreme, e cila qartësisht konstaton se anëtarët e Qeverisë në detyrë që mbajnë njëkohësisht edhe pozitën e deputetit janë në shkelje ligjore. Kur ftohet nga organet e drejtësisë për të dëshmuar në një rast të dyshuar korruptiv, ai nuk paraqitet. Në vend të kësaj, i fyen dhe i përçmon zyrtarët e drejtësisë, duke e diskredituar shtetin në sytë e qytetarëve dhe të aleatëve. Por, kur organet e drejtësisë e thërrasin për një rast të dyshuar kërcënimi ndaj tij, ai paraqitet aty pa asnjë problem, duke u viktimizuar”, ka shkruar Hoti.
Ngjashëm ka reaguar edhe Arton Demhasaj, anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Pamje ‘historike’ – Kryeministri në detyrë/Deputeti Kurti, dëshmon në gjykatë për një kërcënim! Ama për aferat me miliona e miliona euro, tendera, korrupsion nuk bën me shku me deshmu në Prokurorin Speciale… aty s’ka kohë me u paraqit, se qenka shumë i zënë me “drejtësi selektive”! Luja Albin, luja… Luja popullit sa të mundesh!” ka shkruar ai.
E zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se paraqitja e kryeministrit në detyrë, për rastin e kanosjes ndaj tij s’është standard i dyfishtë.
“Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë”, ka shkruar Kryeziu.
Kryeziu po ashtu ka thënë se për rastin e kanosjes, Kurti është intervistuar në zyrën e tij më 10 qershor.
Kryeministri Kurti ka kërkuar vazhdimisht që prokurorët t’i shkojnë në zyrë dhe ka thënë se ka precedent për këtë, por gjykata e ka urdhëruar atë që të dëshmojë në prokurori. Ai madje është gjobitur për refuzimin që të shkojë në prokurori. E Kurti është ankuar për këtë gjobë 250-euroshe.
Kurti është ftuar të dëshmojë lidhur me dyshimet e prokurorisë në rastin e rezervave shtetërore. Prokuroria dyshon se shteti është dëmtuar me rreth 600.000 euro gjatë blerjes së produkteve për rezervën shtetërore.
E-Diaspora
-
Winterthur
Ansambli “Trojet” prezantohet sonte me valle shqiptare në festivalin ndërkulturor në Winterthur Vallet dhe traditat shqiptare prezantohen nga ansambli “Trojet” në një mbrëmje ndërkulturore me pjesëmarrjen e komuniteteve... -
Prishtinë
Koncert i muzikës klasike në Prishtinë me Victor Julien-Laferrière dhe Filharmoninë e Kosovës -
Ardian Gjini i drejtohet diasporës: Mos e votoni Albin Kurtin -
Bronx
Panairi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” mbledh mijëra shqiptarë në Bronx -
Zyra e BE-së në Kosovë shpall Shqipe Neziri Velën “Europiania e Vitit 2026”
Jeta në Austri
-
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri Me fillim të muajit maj, Austria planifikon të monitorojë me kamera rrugët e disa qyteteve. Sistemi... -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten -
Vjenë
Libri me poezi ‘‘I dashtuni im zdrukthtar’’ do të promovohet edhe në Vjenë -
Një ditë e zakonshme që u kthye në festë zyrtare: Historia e 1 Majit -
Ambasada e Kosovës në Austri njofton shërbime të mbyllura konsullore në disa data të majit 2026












