Tematike

Numri i xhihadistëve nga Zvicra, mbetet stabil

Për shkak të stabilitetit të numrit, NDB tash e tutje nuk e publikon numrin e xhihadistëve sikur deri më tash, një herë në tre muaj por vetëm dy herë në vit, gjegjësisht në maj dhe në nëntor

Raporti mbi sigurinë nacionale të Zvicrës i publikuar dje nga NDB (Shërbimi Nacional Informativ i Zvicrës) konstaton se në vitin që shkoi ka pasur një stabilizim të numrit të xhihadistëve që nga Zvicra kanë shkuar në zonat e konfliktit në botën arabe. Nga muaji shkurt nuk ka pasur më asnjë udhëtim me motiv të tillë nga Zvicra.

Nga viti 2001 NDB ka regjistruar 92 persona që për motive xhihadiste kanë marrë rrugën për në zonat e konflikteve, transmeton albinfo.ch komunikatën për shtyp të NDB. 77 prej tyre kanë shkuar në Siri dhe në Irak, ndërsa 15 në Somali, Afganistan, Pakistan dhe Filipine. Numri i të vdekurve është 31 ndërsa ai i të kthyerve, 16.

Në 31 raste nga numri i përgjithshëm prej 92 rastesh, bëhet fjalë për shtetas ose shtetase zvicerane. Prej tyre, 18 kanë edhe një nënshtetësi tjetër përveç asaj të Zvicrës.

Në maj të vitit 2019 NDB në një listë të saj ka përfshirë 66 persona të konsideruar si të rrezikshëm. Ndërkaq numri i rasteve që trajtohen nga monitoringu të NDB-së për xhihadin,  nga 606 sa kanë qenë në nëntor të vitit 2018 është ngritur në 624 në maj të vitit 2019.

Për shkak të stabilitetit të numrit, NDB tash e tutje nuk e publikon numrin e xhihadistëve sikur deri më tash, një herë në tre muaj por vetëm dy herë në vit, gjegjësisht në maj dhe në nëntor.Në këtë publikim vjetor përfshihen edhe personat e shpallur të rrezikshëm si dhe numri i rasteve të trajtuara në kuadër të monitoringut për xhihadin.