Koronavirusi: çast pas çasti

Njerëzit me këtë grup të gjakut sëmuren më rëndë nga Covid-19

Njerëzit me grupin e shpeshtë të gjakut A janë pothuajse 50 për qind më shumë të predispozuar të kalojnë një Covid-19 të rëndë sesa ata me grupe të tjera gjaku

Ndërsa sëmundja Covid 19 te disa njerëz shkakton vdekjen nga problemet e frymëmarrjes, të tjerët e kalojnë lehtë këtë sëmundje. Për këtë ndryshim, mund të jetë i rëndësishëm lloji i gjakut që kanë ata, raporton një ekip ndërkombëtar i studiuesve, shkruan “New England Journal of Medicine”.

Shkaqet e rrjedhës së ndryshme të sëmundjes janë ende kryesisht të paqarta, por një faktor duket të jetë grupi i gjakut.

Kështu, njerëzit me grupin e shpeshtë të gjakut A janë pothuajse 50 për qind më shumë të predispozuar të kalojnë një Covid-19 të rëndë sesa ata me grupe të tjera gjaku, transmeton albinfo.ch. Sipas studimit, njerëzit me grupin e gjakut 0 kanë një rrezik 50 përqind më të ulët.

Studiuesit kishin analizuar mostrat e gjakut të 1610 pacientëve të kujdesit intensiv me Covid-19 në shtatë klinika, në Itali dhe Spanjë. Të gjithë pacientët kanë qenë duke u trajtuar me oksigjen ose ishin të lidhur me ventilator. Përveç kësaj, shkencëtarët kanë ekzaminuar mostrat e gjakut të 2205 njerëzve të përzgjedhur rastësisht nga të njëjtat vende.