Kosova

Një punëtor humb jetën pas rrëzimit të një vinçi në një vendpunishte në Prishtinë

Një punëtor ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar rëndë si pasojë e një aksidenti që ndodhi gjatë montimit të një vinçi në një vendpunishte në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë.

Sipas Inspektoratit Qendror të Punës, aksidenti ka ndodhur në një objekt ndërtimor të kompanisë “Vëllezërit Asllani”, e cila është në pronësi të biznesmenit Qazim Asllanaj. Institucioni bëri të ditur se vendpunishtja nuk ishte inspektuar më herët, pasi punimet ndodheshin në fazën fillestare të ndërtimit, konkretisht në realizimin e themeleve.

Si pasojë e aksidentit, dy punëtorë pësuan lëndime. Njëri prej tyre ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa tjetri po vazhdon trajtimin mjekësor dhe, sipas autoriteteve, ndodhet në gjendje të rëndë, por stabile.

Menjëherë pas ngjarjes, inspektorët e Punës dolën në vendin e aksidentit dhe nisën procedurat inspektuese në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse. Megjithatë, ata theksuan se është ende herët për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, pasi nevojiten hetime dhe ekspertiza shtesë për të vlerësuar rrethanat dhe respektimin e masave të sigurisë në punë.

Për rastin reagoi edhe Komuna e Prishtinës, e cila shprehu ngushëllime për familjen e viktimës dhe njoftoi se në vendin e ngjarjes kanë intervenuar Brigada Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policia e Kosovës, ekipet e Urgjencës Mjekësore, Njësia për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, si dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e cilësoi ngjarjen si një tragjedi, duke theksuar se siguria në vendin e punës duhet të jetë prioritet i panegociueshëm dhe standard që respektohet në çdo vendpunishte.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Zëdhënësi i Policisë, Enis Pllana, konfirmoi se njëri nga të lënduarit nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, ndërsa njësitet relevante policore po zhvillojnë hetimet për të sqaruar shkaqet e ngjarjes.