Lajme
Në Vjenë promovohet libri “I dashtuni im zdrukthtar” i autores Gabriela Mujaj
Në një ambient të bukur artistik edhe në kryeqytetin e Austrisë u promovua përmbledhja me poezi ‘‘I dashtuni im zdrukthtar’’.
Ky libër u botua muaj më parë në kuadër të shtëpisë botuese ‘‘Onufri’’, njëra ndër më prestigjioze në Shqipëri, botuese e veprave të Kadaresë. Redaktimin e tij e ka bërë shkrimtari shkodran Stefan Çapaliku, i cili ka shkruar edhe parathënien.
Një pasthënie për librin e ka përpiluar Artan Gjizel Hasani. Ky vëllim ka 99 poezi të shkruara në dialektin gegë. Të pranishmit fillimisht i përshëndeti Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, i cili nënvizoi rëndësinë e aktiviteteve letrare në mërgatë në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar.
Në këtë manifestim morën pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme, intelektualë dhe aktivistë të komunitetit tonë në Austri. Me praninë e saj evenimentin e nderoi edhe Blerina Serjani, diplomate në Ambasadën e Shqipërisë në Vjenë. Shkrimtarja Gabriela Mujaj po hyn me hapa të mëdhenj dhe të sigurt në skenën e letërsisë shqipe.
Me prejardhje nga Malësia e Madhe e veriut të Shqipërisë dhe me vendqëndrim tash e disa vite në Vjenë, ku dhe studion, ajo vjen para publikut artdashës me një stil të veçantë, unik, si në formë ashtu dhe në përmbajtje. Poezia e saj flet dhe ngacmon ndërgjegjen e njeriut në kuptimin e kërkimit të humanes në të. Vargjet e saj bëjnë dialog me jetën dhe vdekjen, me qiellin dhe tokën, me të ndodhurën dhe të pa ndodhurën. Ajo nuk mund të heshtë para padrejtësive por dëshiron të vë në pah fenomenet që janë prezentë në shoqëri, e vetëdijshme se poezia nuk mund të ndalë luftëra dhe konflikte por që ajo mund të shëroj shpirtin.
Në një bashkëbisedim me Anton Markun ajo shpalosi pjesë nga fëmijëria e saj, ëndrra për të gjetur të bukurën në zemrën e tjetrit dhe vendosmërinë për të mbetur vetvetja pa dëshirën për t’u imponuar.
Pos autores, poezi nga libri ‘‘I dashtuni im zdrukthtar’’ interpretuan edhe Gesu Zefi, soprano, Fatmire Loci, shkrimtare dhe Nereida Limani, lexuese e pasionuar. Në pjesën e tretë, autorja Gabriela Mujaj iu përgjigj pyetjeve të pranishmëve, të cilat kishin të bënin kryesisht me stilin e shkrimit, përdorimin e dialektit gegë në letërsi, lirinë krijuese, etj.
Ishte konstatim i përgjithshëm se ajo shpërfaqë artin në fjalë dhe se ato janë rrobat e mendimeve të saj. Kësaj mbrëmje artistike i dha një intonacion të veçantë edhe pjesët muzikore në piano të interpretuara me mjeshtri nga Vlora Melchard. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ është themeluar në vitin 2011.
Ajo sivjet feston 15-të vjetorin e krijimit dhe është adresë e parë e krijuesve shqiptarë në Austri dhe pikë referimi për sa i përket letërsisë shqipe në këtë shtet. Me një qasje serioze dhe cilësi në organizimin e më shumë se 80 orëve letrare dhe promovimeve të librave, ajo ka komunikuar në mënyrë shumë të frytshme me institucionet në nivel kombëtar, si Ministritë e Kulturës, të Arsimit dhe Diasporës, me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, me shoqatat dhe individët e ndryshëm, etj.
Ajo po ashtu ka bashkëpunim shumë domethënës edhe me organizatat austriake, sidomos me PEN Klubin e Austrisë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.
Tekstin e përpiloi: Anton Marku
E-Diaspora
-
Nga Zvicra në Kosovë: Historia e Vali Ranch në fokus te televizioneve shqiptare Nga Zvicra në Kosovë, historia e Vali Ranch prezantohet në “Pushime on Top” të Top Channel... -
Kino Kosova rikthehet në Bernë: Edicioni i shtatë mbahet më 9–13 shtator 2026 -
Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton “Bolero” dhe “Correr o Fado” në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit në Bodrum -
Itali
Romë: Arbenita Ibrahimi shkëlqen në skenën e “Notti Romane” -
Zvicër
Dr. Zana Spahija Taturi, gjinekologia shqiptare që po kontribuon në luftën kundër FGM/C
Jeta në Austri
-
Austri: Deri në 17 për qind më shumë natyralizime në gjysmën e parë të vitit Në gjysmën e parë të këtij viti, 17 për qind më shumë njerëz u natyralizuan në... -
Shkollat e Policisë në Vjenë përballen me vende të zbrazëta pavarësisht 900 aplikantëve -
Trenat e Aeroportit të Vjenës devijohen pas zjarrit në kabllon Praterstern -
Austri: Ka shtënë me armë mbi policët, burg i përjetshëm për kosovarin -
Vetëm 3 nga 30 kafenetë e Vjenës shërbejnë ujë falas














