Skip to content

Në Firence nis viti i dytë i shkollës shqipe për fëmijët e komunitetit shqiptar

Nxënësit u rikthyen në bankat e shkollës shqipe, ndërsa dy mësuese të reja iu bashkuan stafit në fillimin e vitit të ri shkollor.

Komuniteti shqiptar në Firence ka shënuar fillimin e vitit të dytë të shkollës shqipe, një nismë që synon ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare te brezat e rinj, transmeton albinfo.ch.

Dita e parë e vitit të ri shkollor u shënua me një program artistik dhe një pritje festive për nxënësit dhe prindërit. Për disa prej fëmijëve ishte rikthim në bankat e shkollës, ndërsa për të tjerë fillimi i parë i mësimit të gjuhës shqipe.

Në këtë vit shkollor, shkollës i janë bashkuar edhe dy mësuese të reja, të cilat mirëpritën nxënësit dhe prindërit në ditën e parë të mësimit.

Një tjetër moment i rëndësishëm ishte shpërndarja e librave dhe abetareve të reja për nxënësit. Përmes mësimit të gjuhës shqipe, shkolla synon që fëmijët shqiptarë në Firence të kenë mundësi të ruajnë lidhjen me gjuhën e familjes, kulturën dhe trashëgiminë e tyre.

Nisma mbështetet edhe nga prindërit dhe komuniteti shqiptar, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në vazhdimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe jashtë vendlindjes.

Me nisjen e vitit të dytë, organizatorët kanë shprehur urimin që shkolla të vazhdojë të jetë një hapësirë ku fëmijët mësojnë shqip, krijojnë shoqëri të reja dhe njihen më nga afër me kulturën dhe traditat shqiptare.

Shkolla shqipe në Firence synon kështu të vazhdojë punën për ruajtjen e gjuhës amtare dhe forcimin e lidhjes së brezave të rinj me origjinën e tyre./Albinfo.ch