Lajme

Mjekët nga diaspora realizuan me sukses konferencën XVIII europiane në Kosovë

Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë realizoi konferencën XVIII europiane në Kosovë

“Ta ndihmosh atdheun vetëm me fjalë nuk është asgjë!

Ta ndihmosh me punë dhe sakrificë, është nder dhe mburrje”

Javën që e lamë pas e karakterizojnë dy ngjarje me rëndësi të shqiptarëve mërgimtarë. Me këtë rast duhet thënë me plot mburrje se mërgata për ditë e më tepër po tregon gatishmëri që njohuritë e fituara në diasporë sa më parë t’i aplikojnë në fusha dhe lëmenj të caktuar. Në  Hotelin Sirius u mblodhën mjekë nga shumë qytete evropiane për t’i shpalosur njohuritë e tyre para kolegëve shqiptarë në Kosovë dhe anasjelltas, ata kosovarë paraqiten punimet e tyre shkencore që me përkushtim i kishin përgatitur nergut për këtë konferencë.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Albin Kurti, në bisedë me delegacionin e federatës

Duke parë rëndësinë e këtij takimi, Kryesia e federatës, së bashku me Bordin Internacional të Federatës, të kryesuar nga Kryetarja e kësaj federate, zonja Dr. Aurora Dollenberg, në shoqërim të Kryetares së Degës së kësaj federate për Kosovën, zonjën Dr. Edita Sadriu si dhe Dr. Negjip Sopa dhe Dr. Bernarda Radonqiq dhe Gjergj Pashaj nga Bordi Ndërkombëtar i Federatës vendosën që në këtë datë të organizojnë Konferencën XVIII me radhë, pasi interesimi ishte tejet i madh. Gjatë paradites të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua në Klan Arena edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, zotëri Albin Kurti si dhe zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Liza Gashi.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Delegacionin e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë e vizitoi në këndin e kësaj Federate edhe Kryeministri Kurti, ku për pak caste mori informacione për aktivitetin e federatës nga Kryetarja Dr. Aurora Dollenberg, e cila e njoftoi kryeministrin për rolin dhe aktivitetet që ka zhvilluar kjo federatë në të gjitha vendet shqipfolëse dhe në shumë qendra evropiane, ku kjo federatë ka degët e saj. Edhe pse kryeministri ishte me agjendë të ngjeshur, prezantimi i aktivitetit të federatës nga ana e zonjës Dollenberg e bëri të dëgjojë me vëmendje dhe e ftoi për bashkëpunim dhe gjetjen e rrugëve që diaspora shqiptare të jetë e pranishme me kontribut në Kosovë me veprime konkrete dhe këshilla profesionale në fusha të mjekësisë.  Zonja Dollenberg pa pritur asnjë minutë e njoftoi kryeministrin se sot pasdite në “Hotel Sirius fillon punimet Konferenca XVIII e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, ku punimet e tyre do t’i prezantojnë shumë mjekë nga Diaspora dhe shumë mjekë nga Kosova, anëtarë të federatës sonë. Zoti Kurti e përshëndeti këtë aktivitet dhe nëpërmjet zonjës Dollenberg i përshëndeti të gjithë mjekët pjesëmarrës në konferencë dhe atyre iu uroi punë të mbarë. Përderisa paraditen e 18 majit e shoqëronte motoja “Diaspora flet”, pasditen do ta shoqërojë slogani “Mjekësia evropiane flet shqip” që për temë qendrore ka “Sëmundjet post Covid”. Sa herë që Federata organizon konferenca të tilla, interesimi është tejet i madhe nga ana e mjekëve dhe studentëve të Fakultetit të Mjekësisë. Nga 1000 të paraqitur për t’i ndjekur punimet e konferencës, vetëm  300 prej tyre iu është konfirmuar pjesëmarrja, pasi salla ku do mbahet konferenca ka vetëm 300 ulëse. Kështu pohoi Dr. Edita Sadriu, kryetare e degës së Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë për Kosovë.

Si zakonisht, pjesa e parë i takon fjalëve përshëndetëse që këtë herë pjesëmarrësit u nderuan me nga një fjalë rasti nga Kryetarja e degës Zonja Dr.Edita Sadriu dhe Kryetarja e Federatës zonja Dollenberg për t’i ftuar në foltore më pas dy personalitete të shquara  në fushën e mjekësisë zotëri Dr. Arben Vitia, Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës dhe Princeshën e Luksemburgut, Zonjën Tessy Antony de Nassau, Specialiste e Mjekësisë Alternative, nënë e katër princërve dhe Kapitene Ushtarake. Në fjalën përshëndetëse ministri Vitia vlerësoi lart kontributin e federatës dhe zonjës Dollenberg, e cila me një përkushtim të jashtëzakonshëm po përpiqet t’i bëjë bashkë ekspertët e mjekësisë në diasporë dhe për të tretën herë në Kosovë po i bashkon mjekët dhe studentët për të diskutuar dhe këmbyer përvojat në fushën e mjekësisë. Edhe Princesha nga Luksemburgu në fjalën përshëndetëse e falënderoi zonjën Dollenberg për ftesën që sot ajo të jetë në mesin e mjekëve shqiptarë në Prishtinë dhe të këmbejnë përvojat me të tjerët në fushën e mjekësisë. Me një respekt të veçantë e përgëzoi ministrin Vitia dhe i uroi atij me të gjithë popujt e botës, të cilët gëzojnë një mbrojtje shëndetësore nga shteti e kosovarët edhe pas 15 vjet shtetformim nuk e gëzojnë këtë të drejtë. Punimet e Konferencës i përshëndetën dhe i uruan  punë të mbarë edhe Fatmire Kollqaku, Kryetare e Komisionit Parlamentar për shëndetësi në Parlamentin e Kosovës, Profesor Pranvera Selmani, prorektorë në Universitetit i Prishtinës, Edmond  Hajrizi, Rektor i Universitetit UBT në Prishtinë, dhe Erdi Rexha, anëtar i Bordit të studentëve vullnetarë në degën e federatës në Kosovë.

 

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Përshëndetjet dhe motivimi për punë sikur u dhanë forcë mjekëve pjesëmarrës që sa më parë të kalojnë te fillimi i pjesës së dytë, ku mjekët do të paraqesin punimet e tyre të përgatitura për prezantim në këtë konferencë. Pjesën e dytë të konferencës e nisi  Dr. Negjip Sopa, Specialist i Gjinekologjisë nga Danimarka, i cili prezantoi studimin e tij:

“ Trajtimi i infertilitetit dhe parandalimi i kancerit të gjirit”, studimi i bërë në Danimarkë, e që në konferencë zgjoi interesim tek pjesëmarrësit, të cilët shtruan pyetje të ndryshme rreth studimit të Dr. Negjip Sopaj. Pytjet dhe përgjigjet e marra tregojnë që ky punim u mirëprit nga të pranishmit. Gjatë konferencës nuk munguan as lidhjet direkt nëpërmjet Zoomit që e bëri konferencën të jetë sa më e plotë me ekspertë nga vende të ndryshme, ku federata ka degët e veta. Nga Norvegjia u paraqit Dr. Gazmend Berisha, Anestezist/ Reanimacion Palliativ dhe Urgjences në Norvegji: Doktor Berisha shpalosi  punimin e tij me temën:

”Parandalimi i PTSD Perinatale për gratë shtatzëna”, ndërsa nga Akademia e Shkencave të Lidershipit në  Zvicër u paraqit Prof. Dr. Fadil Çitaku me temën Modeli i kompetencave të lidershipit/ Drenica. Tema që trajtoi Profesor Çitaku ishte  e mirëseardhur për të pranishmit dhe u plotësua me shumë pyetje dhe përgjigje që morën të pranishmit në konferencë.

Kosova për tema të tilla natyrisht se ka nevojë dhe atë sa më ma parë, ngase ligjërata të tilla mungojnë.  Një temë që zgjoi interesim tek të pranishmit ishte ajo që prezantoi Dr. Bujar Gjikolli, Specialist i Radiologjisë, njëherësh Dekan në Kolegjin ABC. Si çdo herë, Doktor Gjikolli  në çdo konferencë sjell para të pranishmëve më të rejat në fushën e radiologjisë. Të interesuarve në pyetjet e shtruara iu përgjigj me argumentim të saktë shkencor.