Mantelbardhët shqiptarë në Zvicër

Mjekët braktisin Kosovën për Zvicrën

“Po të qëndroja në Kosovë do të duhej të prisja 1-2 vjet për një vend pune. Kushtet në Zvicër janë tejet të kënaqshme. Këtu vet sistemi shëndetësor të jep vullnet për të punuar dhe i jep vlerë profesionit të mjekut”, ka thënë mjeku i ri, Valdrin Kuçi

Një numër i madh i të rinjve nga Kosova po shkojnë për të punuar në vendet perëndimore, sidomos në Zvicër, ku kushtet janë shumë më të mira. Kjo vërehet sidomos në fushën e shëndetësisë, ku shumë mjekë nga Kosova janë larguar në drejtim të Gjermanisë dhe Zvicrës.

Numri i mjekëve që po braktisin Kosovën për Zvicrën po rritet dita-ditës. Këtë e pranojnë edhe zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovë. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Faik Hoti në një intervistë për albinfo.ch tregon shkaqet e kësaj dukurie.

Ministria nuk mban statistikë për numrin e mjekëve të larguar

“Largimi i një numri profesionistësh shëndetësorë (mjekë dhe infermierë) nga vendet e tyre që është më shumë karakteristik për vendet e Lindjes, por së fundi edhe për vet vendet e Evropës ka prekur pothuajse edhe të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën. Mjekët dhe infermierët nga Ballkani e kanë si qëllim kryesisht Gjermaninë e Zvicrën, sikurse edhe shumica e kolegëve të tyre të vendeve të Lindjes. Kjo, për shkakun që dihet, se kushtet profesionale në shtetet perëndimore krahasuar me vendet e Lindjes dhe të Ballkanit janë më shumë më të mira. Nga ana tjetër, vendet si Gjermania, Franca dhe disa shtete të tjerë në perëndim kanë mungesë kuadri, sidomos të kuadrit infermieror, pasi që kuadri i këtyre shteteve, sipas të dhënave, po lëviz drejt shteteve skandinave. Në Kosovë, asnjë institucion nuk ka të dhëna të sakta se sa mjekë apo infermierë mund ta kenë lëshuar Kosovën në vitet e fundit, sepse askush që largohet nuk njofton për këtë shkuarje në ndonjë institucion që mban statistika të këtilla. MSh ka të dhëna vetëm për numrin e mjekëve të regjistruar e licencuar pas luftës në Kosovë dhe jo për ata që kanë ikur. Megjithatë, sipas një hulumtimi të kryer nga profesionistë shëndetësorë që kanë qenë pjesë e MSh-së, numri i profesionistëve shëndetësorë të larguar nga Kosova në Gjermani sipas viteve që kanë qenë pjesë e hulumtimit (2009 -2013) është si vijon:

2009-10; 2010-26; 2011-67; 2012-67; 2013-109”, ka thënë Hoti.

Kushtet shumë më të mira, në Zvicër

Njëri ndër mjekët e larguar nga Kosova është edhe Valdrin Kuçi. Ai, në një intervistë për albinfo.ch tregon se pse shkoi në Zvicër, pastaj për kushtet dhe synimet për të ardhmen. “Këtu në Zvicër jam që nëntë muaj, por më parë 15 vite kam jetuar në Kantonin Thurgau. Në Kosovë kam bërë vetëm praktiken 6-muajshe për licencë, nuk kam pasur kurrë kontratë pune në ndonjë klinikë. E kam pasur të qartë qysh prej vitit të parë se do të punoj dhe do të specializoj në Zvicër”, ka thënë Kuçi për albinfo.ch.

Ai ka treguar arsyet pse vendosi të shkojë në Zvicër. “Njëra nga arsyet ka qenë perspektiva më e mirë dhe fakti se gjendja në sektorin e shëndetësisë në Kosovë nuk është e mirë. Po të qëndroja në Kosovë do të duhej të prisja 1-2 vjet për një vend pune. Kushtet tani për tani në Zvicër janë tejet të kënaqshme. Këtu vet sistemi shëndetësor të jep vullnet për të punuar, si dhe i jep vlerë profesionit të mjekut”, ka theksuar tutje mjeku që është duke specializuar në mjekësi interne, kurse nga viti tjetër do të specializojë në kirurgji të përgjithshme.

“Sistemi shëndetësor në Zvicër është tejet i përparuar. Planet e mia tani janë të përfundoj specializimin tim për FMH Ortopedie. Kjo gjë nuk është shumë e vështirë në Zvicër pasi që sistemi i specializimit në Zvicër ju mundëson mjekëve specializues që dy vite nga specializimi t’i kryejnë në ndonjë fushë tjetër pa ndonjë penalizim për specializim”, ka përfunduar Valdrin Kuçi.

Kërkesë e madhe për kurset e gjermanishtes

Rreth 1000 qytetarë nga Kosova vetëm gjatë këtij viti kanë ndjekur kursin e gjuhës gjermane në institutin “Gëte” në Prishtinë, shumica prej tyre mjekë dhe infermierë, të cilët kanë vendosur që të largohen nga vendi dhe të punësohen në Gjermani, ku vlerësojnë se kanë perspektivë më të madhe. Annamaria Farkas-Mecinaj, drejtoreshë e institutit “Gëte”, ka bërë të ditur për mediat në Prishtinë se gjatë vitit 2016 kurset e tilla i kishin ndjekur rreth 1200 vetë, ku interesimi më i madh është nga gjeneratat e reja, kryesisht mjekë dhe infermierë, të cilët po kërkojnë mundësi punësimi në Gjermani.