Lajme
Mikroplastika po pushton lumenjtë e Evropës: Një alarm që nuk mund të shpërfillet
Shkencëtarët kanë ngritur alarmin për ndotjen e rrezikshme të lumenjve evropianë, pasi nivele shqetësuese të mikroplastikës janë zbuluar në pothuajse të gjithë rrjedhat kryesore të kontinentit. Një seri prej 14 studimesh të publikuara sot në revistën “The Journal of Environmental Science and Pollution Research” zbulon përmasat e ndotjes, e cila, sipas ekspertëve, është gjithpërfshirëse.
“Çdo lum i analizuar është i ndotur,” deklaron Jean-François Ghiglione, shkencëtar francez dhe drejtues i projektit që përfshiu nëntë prej lumenjve më të mëdhenj të Evropës – nga Thames në Londër deri te Tiber në Romë.
Në këta lumenj është regjistruar një mesatare prej tre grimcash mikroplastike për çdo metër kub ujë – një shifër që, ndonëse më e ulët se ajo e lumenjve më të ndotur në botë, mbetet alarmante për mjedisin dhe shëndetin publik. Për krahasim, në disa nga lumenjtë më të ndotur globalisht – si Yangtze, Ganges apo Nili – janë gjetur deri në 40 grimca për metër kub. Por këtu nuk llogaritet volumi i ujit që rrjedh, transmeton albinfo.ch.
Në Francë, në lumin Rhône afër qytetit Valence, rrjedha e shpejtë transporton deri në 3000 grimca mikroplastike për sekondë, ndërsa në lumin Seine, që përshkon Parisin, numri arrin në rreth 900 grimca për sekondë.
Ghiglione thekson se ndotja më e rrezikshme nuk është ajo që shohim: “Plastika e padukshme është më e pranishme dhe më e rrezikshme sesa ajo që mund të dallojmë me sy.” Këto përfundime dolën nga një hulumtim që nisi që në vitin 2019.
Mikroplastika e dukshme mbetet në sipërfaqe, ndërsa ajo mikroskopike shpërndahet në gjithë kolonën e ujit dhe përthithet nga organizma të ndryshëm, duke hyrë kështu në zinxhirin ushqimor. Studimet janë kryer në grykëderdhjet e lumenjve si Elba, Ebro, Garonne, Loire, Rhine, Seine, Thames dhe Tiber, me analizat e mbledhura nga rreth 40 shkencëtarë të fushave të ndryshme.
“Mikroplastika është më e vogël se një kokërr orizi,” shpjegon kimistja Alexandra Ter Halle nga CNRS në Toulouse. Këto grimca vijnë nga shumë burime: tekstile sintetike që lëshohen gjatë larjes së rrobave, gomat e makinave, apo thjesht nga hapja e kapakëve të shisheve plastike.
Përveç kësaj, janë zbuluar edhe grimca të plastikës industriale, si polietileni (PE), polipropileni (PP), PVC e deri te fluorid polivinilideni (PVDF), të njohura për qëndrueshmërinë ndaj nxehtësisë dhe kimikateve.
Një tjetër zbulim tronditës vjen nga Loire në Francë, ku në një mostër mikroplastike është identifikuar një bakter infektiv që mund të shkaktojë sëmundje te njerëzit.
Gjithashtu, rreth 25% e mikroplastikës e gjetur nuk vjen nga mbeturina të zakonshme, por nga peletat plastike industriale – të ashtuquajturit “lotët e sirenës”, që shpesh përfundojnë në lumenj apo në plazhe pas incidenteve detare.
“Ndotja është e përhapur dhe vjen nga kudo,” paralajmëron Ghiglione. Koalicioni shkencor që ai drejton është pjesë e negociatave ndërkombëtare të OKB-së për frenimin e ndotjes plastike. Ata kërkojnë ulje të ndjeshme të prodhimit të plastikës, duke theksuar se çdo gram i prodhuar ka një çmim mjedisor.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Yll Gashi vazhdon aventurën me Bayern Munichun, rinovon kontratën deri në vitin 2028 Talenti me prejardhje nga Kosova fiton besimin e klubit bavarez dhe pritet të jetë pjesë e... -
Amerikë
Desarta Rapushaj përfundon me sukses programin prestigjioz Fulbright në “Michigan State University” -
Zvicër
Fillojeta Makshana shpallet më e mira në gjuhën gjermane në komunën e Payernit të Zvicrës -
Paradoksi i kohës sonë: Arritjet e grave rriten, por edhe dhuna në familje -
AlphaTECH sjell zgjidhje të integruara të kallëpimit për projektet e ndërtimit
Jeta në Austri
-
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë Lorik Kelmendi zuri vendin e parë në garën “AI Mini CTF”, Senad Mehmeti u rendit i... -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve













